E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vepër e denjë për historinë e arsimit të Dibrës

06-03-2013 / Nga Prof. Shefqet Hoxha

Është sot një ditë në shenjë, sepse po paraqitet një vepër në tre blej, me 1200 faqe e studiuesit Xhemal Domi:“Dibra në hulli të historisë – Zhvillimi i shkollave, arsimit dhe e mendimit pedagogjik në trevat dibrane” që nga zanafilla e deri në vitin 1990. Është një punë 30-vjeçare e autorit, rezultat gjurmimesh këmbëngulëse, sistematike në arkiva, në organet e shtypit dhe në një literaturë të gjerë historiko-arsimore, pra është vepra e jetës së tij. Kjo sapo ka dalë nga shtypi në kuadrin e 7 Marsit, ditës së mësuesit, por është e përfshirë në kolanën e botimeve të 100-vjetorit të pavarësisë kombëtare.
Kumtimet e shpaluara na transmetuan të dhanat e domosdoshme dhe vlerësimet përkatëse për këtë vepër, prandaj syzimi im mund të jetë si barrë mbi lëgji, por u kërkoj ndjesë dhe u siguroj se nuk do të shpërdoroj durimin tuaj, ngase nuk po më rrihet pa ia thënë dy fjalë si peng nderimi në këte shendllëk z. Xhemal Domit, mikut tim të kahershëm, kolegut të një lëmije, studiuesit fjalëpak e punëshumë, bashkëkrahinarit dhe bashkanëtarit të devotshëm të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Luma”. Madje, në emër të kryesisë së kësaj shoqate, para këtij auditori të nderuar, e përshëndes dhe e falenderoj përzemërsisht z. Domin për këte vepër dinjitoze kushtuar historikut të arsimit të trevave të Dibrës dhe më gjerë, për këte dhuratë të bukur që po na sjell ne mësuesve dhe njërës prej krahinave më të njohura arsimdashëse të kombit, Dibrës. Me këte rast i uroj shëndet dhe mendtë në krye, sepse tani kripit tim dhe të Xhemal Domit u ka ra bora.
Si mësues e drejtues shkolle për disa dhjetëvjeçarë (1952-1993) Xhemal Domi u ka falë nxënësve të shumë viseve, sidomos atyre të Kalasë së Dodës, dhe prindërve të tyre mendjen, shpirtin dhe zemrën e tij nën shembullin e të jatit, Harun Jakupit, që pat sjellë abetaren shqipe nga Bukureshti, si dhe të traditave të vyera atdhetare-kulturore të familjes dhe të mjedisit. Është vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri” dhe ka lënë fërkeme në shkollat e Lumës Jugore dhe në krahinën e Dibrës, si edukator, si aktivist shoqëror, si studiues, si atdhetar dhe si besimtar i Zotit. Në vitet 70 të qindvjetit të kaluar Xhemal Domi qe përfshirë si i përzgjedhur në tubën e studiuesve të rinj për të bubrruar, ndriçuar e botuar traditat historiko-kulturore të viseve të Dibrës. Botoi në ato vite e më pas nji tubë studimesh si “Historiku i shkurtër i Kalasë së Dodës”, “Mbi të vërtetat historike të Shqipërisë Veri-lindore në vitet 1918-1925”, “Malësitë e Veriut – forcë goditëse dhe prapavijë e Lidhjes së Prizrenit” etj.
Atëbotë Xhemal Domi nis e nxên brumin për veprën “Historia e arsimit në Dibër”, qëmton në arkiva, hulumton në botime historike e arsimore-kulturore, zbulon të dhëna nga organet e hershme të shtypit dhe këto i toçit dalë e dalë në laboratorin e tij dhe pas shumë vitesh pune në heshtí harton veprën stërmadhe që e kemi tani në dorë. Kjo vepër nuk është thjeshtë një histori e shkollës, arsimit e mendimin pedagogjik të trevës së Dibrës, por një enciklopedi e njëmendët historiko-arsimore, një dhuratë për arsimin dhe kulturën kombëtare. Kjo ka vlera njohëse, edukuese, shkencore; është shkruar me dashuri, me përkushtim e me kompetencë në respekt të malësorëve dibranë që trashëgojnë një histori e kulturë të lashtë. Dibranët janë sa punëtorë të vnjeshëm, aq atdhetarë të vërtetë, ata i kanë falë kombit figura të ndritshme në fushën e dijes dhe të arsimit. Studimi i Xhemal Domit, si vepër njerëzore, nuk mton të jetë si qielli i kthjelltë si loti, se vepra pa cene ka bërë vetëm zoti. Ka pasë thanë Pjetër Mazrreku: “As diell pa hije, as hanë pa mjegull nuk ka në këte botë”.
Prandaj, të lumtë Xhemal Domi. I ke blatue Dibrës veprën tënde të jetës, por kam bindje se edhe Dibra nuk ka me të mbetë borxh, ka me ta kthyer kapice, “E fala ka të falën” – thotë kanuni.
Fjala e mbajtur në promovimin e librit, më 2 mars 2013, në MHK, Tiranë

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›