E Shtunë, 31 Tetor 2026

Act now! Tunduni!

MIRELA KUMBARO

Shyqyr që kemi ambasadorë amerikanë që të na kujtojnë se mund të bëzajmë kur kemi të drejtë, se mund të lëvizim kur na kërcënojnë madje edhe mund të veprojmë kur na dhemb! Shyqyr që i kemi, se të paktën atyre u ka ende peshë fjala, përderisa politika dhe institucionet veç para tyre ndihen, ende, disi në siklet… Sa rëndë është ky qytet!
Në fakt, ambasadorët amerikanë skanë lënë gjë pa bërë. Tri ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, ambasadori Uithers doli në televizionet shqiptare e në faqet e shtypit tonë, në lozhën e parë që i rezervohet rregullisht postit që ai mbante, për të thënë abc-në e demokracisë.
Ishte përkthimi më i thjeshtuar i mundshëm i të gjitha spoteve publicitare zgjedhore, i të gjitha fjalimeve majtas, djathtas, lart, poshtë, i të gjitha mesazheve mediatike që i ishte folur aso kohe shoqërisë shqiptare. Ai ishte i sigurt që fjala e tij do të kishte më shumë efekt se të gjitha fjalimet e vendasve. Ai donte të sigurohej që të mos dilte njeri të nesërmen e të thoshte nuk dija si votohej. Ambasadori amerikan doli për të thënë një gjë shumë të thjeshtë Patatja mbillet në tokë, ose e thënë ndryshe: Kaloni në vijat e bardha që të mos ju shtypë makina. E dëgjuam? Tani ta përsërisim së bashku deri ditën e votimit. Foli ambasadori, po kujt i foli…?!
Pas kësaj, ajo që u përsërit prapë e prapë, ishte skenari i zakonshëm i zgjedhjeve të kontestuara dhe i pengmarrjes së zgjedhësve në bizantinizmin e politikës shqiptare. Bëra një shkrim ato ditë për të zbrazur marazin që më shkakton vetja ime dhe populli im që, edhe pas njëzet e kusur vitesh, kemi nevojë të dëgjojmë leksione fillestare demokracie, se si duhet të votojmë, se çfarë quhet manipulim zgjedhor, blerje komisionerësh, falsifikim dokumentesh, pakte të ndyra politike nën tryezë.
(http://lajme.shqiperia.com/lajme/artikull/iden/266170/titulli/Patatja-mbillet-ne-toke Panorama 26 qershor 2009)
Nga po e njëjta lozhë ka do vjet që flet edhe pasardhësi i tij, ambasadori Arvizu.
I plasi shpirti! Pasi foli në gazetë kur se dëgjuan, pasi heshti në rrugë kur sia kërkuan, pasi përveshi mëngët si KQZ për të numëruar votat, pasi doli si OJQ kundër diskriminimit, pasi hëngri si shkes gjithë darkat e mundshme me politikanët e piu si krushk kafet gjoja të rastësishme para kamerave në Bllok, pasi bëri si bashkiak gjithë xhirot me biçikletë rrugëve të Tiranës, pasi hyri e doli në të gjithë Bigbrodher-at televizivë, pasi mungoi si diplomat në shoun e fundit parlamentar, pasi vajtoi si murg i huaj Marien 17-vjeçare që të vetët e vranë dhe as e qanë… I plasi shpirti! E na u kthye ne: Act now! Shqiptarë, tunduni nga vendi!
Në një shoqëri demokratike, të tundesh do të thotë të ndiesh, do të thotë të të dhëmbë, do të thotë të flasësh që të dëgjohesh e që pastaj të sjellësh ndryshim. E kur stë dëgjojnë, kur përpiqen të të mbyllin gojën, të të korruptojnë e të detyrojnë të korruptosh, të të gënjejnë e të të mpijnë, atëherë duhet të veprosh, të indinjohesh, të imponohesh, të tundesh… sepse kjo tregon se ende mund të shpresosh.
Ne dhembjen e ndiejmë, po thua, shpresën vallë e kemi humbur?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›