E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, muskuj dhe mbrojtje

Të kaltrit vrapojnë 4 kilometra më shumë sesa britanikët, kështu fitojnë axurrët

Që nga eliminatoret kanë pësuar vetëm 4 gola, 8 anglezët.

Kurrë ndonjëherë më parë Italia dhe Anglia nuk e kanë parë veten kaq në baraspeshë: të kaltrit kanë qenë ata me më shumë klas dhe cilësi, ndërsa Tre Luanët më të fuqishëm, por jo-mjaftueshëm për të fituar një Europian.
Gjithsesi, edhe pse të dyja skuadrat sivjet duken në të njëjtin nivel, statistikat e fazës në grupe tregojnë një Itali pak më muskulore, me mushkëri më të forta dhe me një mbrojtje më solide sesa ajo rivale. Të dhënat e UEFA-s theksojnë se në tri ndeshjet e para në grup, katër herë kampionët e botës kanë vrapuar në total plot 328 kilometra, kundrejt 316 të djemve të Roi Hoxhsonit. Lojtari më aktiv i të kaltërve është Klaudio Markizio, me 35 kilometra të përshkruara, as më shumë e as më pak se fantazisti Andrea Pirlo. Ndërkohë, në radhët e anglezëve, Stivën Xherrard është lojtari me mushkëritë më të forta, me 31.5 kilometra të përshkruara. Praktikisht, mesatarja e tri sfidave të para tregon se Italia vrapon rreth 4 kilometra më shumë për ndeshje, por Anglia po shfaq shenja rritjeje nga takimi në takim. Ata kanë kaluar nga 100 kilometrat e përshkruar kundër Francës, në 107 e 735 metra kundër Ukrainës. Kjo tregon një rendiment atletik në rritje, ndërkohë që Itali sa vjen e bie; nga 112 kilometrat kundër Spanjës, në 111 ndaj Kroacisë e për të përfunduar te 104 kilometrat kundër Irlandës. Lojtari që vrapon më pak te të kaltrit është Kasano, me 97 metra në minutë, kundrejt 119 metrave të Runit, prandaj këtu kërkohet diçka më shumë. Gjithsesi, pika më e fortë e italianëve është në mbrojtje, reparti më i fortë i Europianit. Nëse llogarisim eliminatoret e deri në fazën e grupeve, Italia është ajo që ka pësuar vetëm 4 gola (2 në eliminatore dhe 2 në grupe). Skuadra më e afërt me ta është Spanjë dhe 7 gola të pësuar në të dyja fazat, ndërsa është pas tyre me 8 gola (5 në eliminatore dhe 3 në grupe). Prandaj, nëse i bazohemi vetëm shifrave pozitive, atëherë duket se Italia do të jetë gjysmëfinaliste në këtë Europian, edhe pse futbolli asnjëherë nuk është matematikë.

Rregullorja
Për çerekfinalen e nesërme janë plot 8 futbollistë italianë që kanë nga një karton të verdhë dhe në rast të një tjetri kundër Anglisë, ata do të humbnin gjysmëfinalet. Por, këtë herë kartonët e verdhë do zerohen, gjithnjë nëse Italia do kalojë me fitore Tre Luanët. Të ndëshkuarit italianë janë Bufon, Bonuçi, Maxho, Balzareti, Mota, De Rosi, Montolivo dhe Baloteli.

Bufon
Xhanluixhi Bufon nxeh çerekfinalen mes Italisë së tij dhe Anglisë, sfida më prestigjioze nga 4 çiftet e kësaj faze. Mendoj se kundër Anglisë kemi 50 për qind të shanseve për të fituar dhe për të kaluar në gjysmëfinale. Anglia përgatitet për penalltitë? Më ka rastisur tri herë që të avancojë përpara me Italinë nga pika e bardhë, në të cilat dy herë kam fituar dhe një herë jam eliminuar. Prandaj, këtë herë ju siguroj se nuk do të ketë penallti, sepse vështirë se zemra do ma përballonte një tjetër stres që ofrojnë 11-metërshat, tha kapiteni i axurrëve.

Hoxhson
Askush nuk të garanton fitoren në luftë, atë vetëm mund ta meritosh. Firmosur Uinston Çërçil dhe Roi Hoxhson. Kryeministri britanik e tha këtë shprehje gjatë Luftës së Dytë Botërore, trajneri aktual i Kombëtares angleze e shkroi në tabelë gjatë një mbledhjeje teknike gjatë finales së Kupës UEFA që Interi luajti kundër Shalkes. Për të motivuar futbollistët, Hoxhson përdorte shpeshherë edhe një frazë tjetër të Çërçillit: Jeto sikur të ishte dita e fundit. Mëso sikur do jetosh përgjithmonë, fraza këto që kanë zënë rëndomtë mbledhjen e tanishme të Anglisë.

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›