Visar Zhiti, një rrëfim për letërsinë e emigrimit
Në një kohë që letërsia e migrimit dhe e shkrimtarëve që shkruajnë në gjuhë të huaj është kthyer tashmë në një fenomen në Itali, është e dyta herë që kësaj letërsie dhe protagonistëve të saj i kushtohet një tavolinë diskutimi. Shoqata ndërkulturore "Katër Kufijtë", në bashkëpunim me librarinë "Basaneze", organizojnë pesë mbrëmje të veçanta nën emërtimin "Takime pa kufij 2009, shkrimtarë emigrantë në qytet". Këto mbrëmje të veçanta do të bashkojnë katër shkrimtarë të nacionaliteteve të ndryshme, të cilët do të rrëfejnë për cepin e botës ku eksperimentojnë letërsinë e tyre, eksperiencën gjuhësore (të shkruarit në një gjuhë që nuk është e tyre) dhe do të rrëfejnë aspektin sociologjik të të shkruarit përmes të ndjerit i pranuar apo i refuzuar nga një publik i një tjetër kulture. Mbrëmja aziatike, afrikane, amerikanojugore dhe ballkanike do të kenë përfaqësuesit e tyre. Visar Zhiti, shkrimtari shqiptar, do të jetë i ftuar më 26 shkurt të flasë për letërsinë ballkanike e atë shqiptare në veçanti, nisur nga përvoja vetjake e tij si shkrimtar. Ndonëse këto kohë është i angazhuar me punë administrative, për kulturën dhe arsimin në Ambasadën Shqiptare në Romë, Zhiti është në një marrëdhënie të ngushtë me lexuesin italian, por edhe të kombësive të tjera, gjuhë në të cilat janë përkthyer veprat e tij. "Italia është një potencial i Evropës në drejtim të kulturës. Ne duhet të jemi më të zotë të arrijmë këtë harmoni", është shprehur në një intervistë për gazetën gjatë Panairit të Librit, kur u vlerësua edhe me çmimin si shkrimtari i vitit. Për të, lexuesit italianë janë të dashur dhe shfaqin interes edhe për atë çka ndodh në Shqipëri. "Italia ka lexues të shumtë. Ndonjëherë bie kambana që libri lexohet pak, e sidomos poezia. Por çuditërisht unë kam parë radhë në librari, njerëz që dhurojnë libra, dhe më duket një shenjë e mirë", thekson ai. Por Zhiti me siguri që ka shumë për të treguar edhe për rrugën e tij letrare. Provoi të shkruante nën një regjim diktature, vuajti qelive të burgut për poezitë e tij, e tashmë përjeton lirinë e të komunikuarit jo vetëm me lexuesin e vendit të vet, por edhe të disa vendeve të tjera. Pas daljes nga burgu, Visari vazhdoi të shkruante poezi dhe ëndrrën e tij për të botuar e bëri realitet vetëm pas viteve 1991. Që nga ajo kohë ai ka botuar libra në poezi e prozë, si dhe përkthime. Është vlerësuar mjaft si poet jo vetëm në Shqipëri, ku ka fituar, por dhe në Itali, ku është fitues i gjashtë çmimeve të ndryshme. Në këtë vend ai është zgjedhur anëtar i akademisë së arteve të bukura për letërsinë dhe shkencën, "Alfonso Grassi". Diskutimi i tij do të shtrihet më gjerë, në kufijtë e letërsisë ballkanike, për të cilën është zgjedhur si përfaqësues. Këto takime do të hapen nesër në mbrëmje me natën aziatike, me shkrimtaren indiane Laila Ëadia; do të vazhdojnë në datën 12 shkurt me natën afrikane me Igiaba Scego nga Somalia; shkrimtarja argjentinase Candelaria Romero është ftuar për natën amerikanojugore; ndërsa një mbrëmje e veçantë do t‘i kushtohet takimit me mjekët e shoqatës "Surgery For Children". Kush janë shkrimtarët emigrantë? Janë ata që ndryshojnë mënyrën e të jetuarit dhe gjuhën, ata që modifikojnë kohën dhe hapësirën, ata që përshkojnë botë, që përvetësojnë gjuhë dhe eksperienca të ndryshme, që pak nga pak depozitohen brenda valixhes së tyre gjithnjë e më të pasura e më të rënda. Janë ata që duan dhe dinë të tregojnë ngarkesat emocionale të këtij udhëtimi në një gjuhë të fortë "ibride". Janë ata që na udhëheqin në një udhëtim nga jugu në veri e që na bëjnë të hedhim sytë nga "shoqëria tjetër".