E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ademi e Ylli, verdikti final për kreun e KOKSH

Beteja mediatike vazhdon prej disa javësh. Esat Ademi dhe Fidel Ylli, dy kandidatët për postin e presidentit të KOKSH, kanë parashtruar projektet e tyre dhe tashmë do të përballen me verdiktin e kutive të votimit. Në fakt, sot në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet do të fillojë punimet Asambleja e 14-të e Përgjithshme Zgjedhore e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Ademi dhe Ylli janë kandidatët e vetëm për të pasuar Hysen Domin, i cili qëndron në krye të KOKSH-it që prej 15 dhjetorit të vitit 2000. Fituesi i garës së sotme do të jetë drejtuesi i nëntë në historinë 49-vjeçare të këtij institucioni. Deri më tani, Ademi, që në tetë vitet e fundit ka drejtuar Federatën e Peshëngritjes, ka denoncuar mungesën e transparencës në prag të zgjedhjeve, pasi KOKSH nuk ka publikuar listën e delegatëve që do të votojnë dhe çfarë përfaqësojnë ata. Gjithsesi, vetëm pak orë përpara Asamblesë, ai ka zhvilluar një konferencë për shtyp, ku më shumë sesa te premtimet, ai është përqendruar te rezultatet që ka arritur në krye të peshëngritjes. "Janë 138 medalje të fituara në aktivitetet botërore, evropiane e ballkanike dhe në Lojërat Mesdhetare, tha Esat Ademi. Me mua në krye Shqipëria nuk do të paraqitet në gara për vende të 11-ta dhe 12-ta, por ju siguroj se do të bëj më të mirën e mundshme që në Londër 2012 të shkojmë për të fituar medalje".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›