E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adhurojnë internetin

Edhe pse mendojmë se nuk janë gjatë gjithë kohës në internet, megjithatë VIP-at kosovarë janë persona që e shfrytëzojnë shumë internetin. Jo vetëm këngëtarët apo aktorët janë në internet. Kemi edhe politikanë. Nga Ardian Jasiqi më 26 shtator 2011 në ora 17:29

Ata, me profilet e tyre, janë në të gjitha rrjetet sociale. Shpesh i përdorin për të kontaktuar me adhuruesit e tyre, por i përdorin edhe për gjëra të tjera. Për të hulumtuar nga sfera e tyre profesionale, e pse jo edhe personale. Shpeshherë me fotografitë që i botojnë nëpër profilet e tyre në Facebook, bëjnë që ato të jenë pjesë e thashethemeve.

Këngëtarja Flaka Krelani thotë për Express se ka qenë një kohë kur ajo e kishte përdorur shumë internetin, por tani e ka rralluar paksa.

“Deri pak para një muaji e kam përdorur nonstop. Shkaku, jo pse kam pasur të bëj ndonjë punë ekstra, por ishte bërë pjesë e madhe e jetës time. Por, shkaqet e provimeve bënë që ta ndaloj paksa”.

Flaka, e cila përpos profilit të saj në Facebook ka edhe fan page, thotë se ka edhe faqe të tjera që ajo viziton. “Normalisht kam faqen time personale në Facebook dhe fan page që nuk është e hapur nga unë, por nga adhuruesit e mi. Më vjen mirë që ata e kanë bërë këtë. Edhe ato i shikoj rrallë, por kur i shikoj, ndihem mirë. Pos Facebook, faqja e dytë që shfletoj është ajo e revistës ‘People’”, thotë Flaka.

Për tenorin dhe këngëtarin Shkodran Tolaj interneti është një pjesë e tij, por jo se ai s’mund të jetojë pa të. “Pa problem do të rri edhe nëse nuk hy në internet”, thotë ai.
Tolaj thotë se Facebook është një faqe që ai e viziton, por është edhe një vizitor i www.gazetaexpress.com. “Janë faqet që i vizitoj më së shumti. Kjo që jua them është e sinqertë”, thotë Tolaj. Ai thotë se gjatë ditës ia kushton internetit 30 minuta deri në një orë.

Nuk janë vetëm këngëtarët ata të cilët rrinë në internet.

Politikani Naser Rugova, ish deputet i LDD-së në Parlamentin e Kosovës dhe tani anëtar i LDK-së, thotë se deri në dy orë në ditë rri në internet.

“Shfrytëzoj kryesisht ueb-faqet e njohura informative botërore, rajonale dhe vendore. Pastaj ueb faqet që kanë të bëjnë me shëndetësinë dhe me rrjetet sociale, po ashtu”, thotë ai për Express.

“Vikendi është koha kur unë rri më shumë në internet”.

Ndryshe, ueb faqet e ndryshme të rrjeteve sociale, zhvillimi i portaleve, por edhe i teknologjisë në përgjithësi kanë bërë që njeriu të jetë çdoherë i informuar në kohë për të gjitha ato që ndodhin në botë.

Edhe Kosova, sidomos pas lufte, ka pasur një zhvillim të hovshëm, sidomos në krijimin e ueb faqeve të reja dhe portaleve, ku lexuesit mund të informohen për çdo lëmi që atyre u intereson. Por, kryesisht preferohen faqet dhe rrjetet e ndryshme sociale si Facebook dhe Twitter.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›