E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë mi futën në xhep

Gjykata rrëzon kërkesën për garanci pasurore në këmbim të një mase më të butë sigurie, duke e ridërguar me pranga në qeli mjekun 66-vjeçar, i cili u arrestua katër ditë më parë për korrupsion

TIRANË - “Paratë m’i futën në xhep. Babai i pacientes më ofroi darkë dhe jo para”. Kështu u mbrojt para togave të zeza kirurgu i njohur Kastriot Dautaj, i cili justifikoi edhe pasurinë prej 420 mijë dollarësh që ka depozituar në bankë. Me një çehre të prishur, për shkak të shqetësimeve në zemër, profesori 66-vjeçar doli dje para gjykatës, e cila pasi dëgjoi pretendimet e palëve, vendosi të ridërgojë në qeli mjekun urolog Kastriot Dautaj. Sipas prokurorit, kirurgu i njohur akuzohet për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”, akuza të cilat vërtetohen nga provat që disponon organi i akuzës. Ndërsa pala mbrojtëse tha se shuma e parave që disponon mjeku është vënë nga të ardhurat e familjes. Mbrojtja kërkoi një masë më të butë sigurie, edhe për faktin se 66-vjeçari trajtohet me medikamente mjekësore, pasi ditët e fundit i janë rënduar problemet shëndetësore në zemër. Në këmbim të kësaj, avokati ofroi edhe garanci pasurore, shumën e së cilës ia la në dorë gjykatës për ta caktuar.

Prokuroria

Në kërkesën e prokurorisë thuhej se shuma e parave që ndodhej llogarinë bankare të Kastriot Dautajt nuk justifikohet nga të ardhurat që ky shtetas ka përfituar nga puna si mjek, pasi nga verifikimet e kryera në organet tatimore, nuk rezulton që kirurgu të ketë regjistruar ndonjë biznes fitimprurës. Ndërsa rreth akuzës së korrupsionit, prokuroria solli në vëmendjen e gjykatës rastin e fundit, kur mjeku urolog u kap me shumën e 500 mijë lekëve në xhep, para të cilat sipas akuzës i janë dhënë nga Ibrahim Hoxha, babai i pacientes Luljeta Hoxha, e cila sapo ishte operuar në veshka nga kirurgu Dautaj. Rreth këtij fakti, prokurori i çështjes tha se mjeku është filmuar në momentin kur ka marrë një zarf të bardhë nga babai i vajzës së operuar rreth mesditës së datës 7 korrik. Gjithashtu, organi i akuzës deklaroi se janë evidentuar edhe të paktën katër raste të tjera, kur kirurgu ka marrë para nga familjarët e pacientëve që ka operuar.

Mjeku

Të gjitha akuzat e prokurorisë u kundërshtuan nga kirurgu Dautaj, i cili tha para gjykatës, se pasuria e tij justifikohet tërësisht nga të ardhurat që ka familjarisht. “Unë paguhem në shumën e 1 milion e 200 mijë lekëve për punën që kryej në spital, gjithashtu kam të ardhura edhe nga bashkëshortja ime dhe dy djemtë që ndodhen në Amerikë”, - mësohet të ketë thënë Dautaj. Sipas tij, përfitime ka pasur edhe nga shitja e banesës dhe tokës në qytetin e Vlorës, ku është ndërtuar dhe një pallat, nga i cili Dautaj pretendon se ka shitur dy hyrje. Ndërsa lidhur me akuzën e korrupsionit dhe rastin e përmendur nga prokuroria, mjeku tha se paratë ia kishin futur në xhep. Sipas tij, gjithçka ka ndodhur pas përfundimit të operacionit në veshka të pacientes Luljeta Hoxha. “Pas operacionit takova babanë e pacientes, i cili sapo mësoi se operacioni përfundoi me sukses, më ftoi për një darkë”, - tha para gjykatës Dautaj. Ai tregoi se menjëherë pas kësaj bisede ishte futur sërish në sallën e operacionit, kur dikush nga ekipi i mjekëve i ka thënë: “Të kërkojnë dy policë jashtë”. Dautaj tregoi se policët i kanë gjetur në xhep shumën e parave, për të cilat nuk u gjet asnjë shpjegim sesi kishin përfunduar në xhepin e përparëses së kirurgut.

Detyrim për paraqitje “korruptuesit” të mjekut

Ndërsa profesor Dautaj u dërgua në qeli, personi që dyshohet se i dha të hollat kirurgut u la në masën e sigurisë detyrim me paraqitje. Menjëherë pas përfundimit të seancës për caktimin e masës së Kastriot Dautajt, e njëjta gjyqtare dëgjoi arsyetimin e të njëjtit prokuror për Ibrahim Hoxhën, i cili akuzohet për korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Për këtë person, përfaqësuesi i akuzës kërkoi masën e sigurisë detyrim me paraqitje, edhe pse korrupsioni aktiv nga ai pasiv nuk është se kanë ndonjë ndryshim të madh. Pasi dëgjoi këtë arsyetim të prokurorit, gjyqtarja e gatshme vendosi të lërë në fuqi kërkesën e përfaqësuesit të akuzës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›