Administrata Gjyqësore, Ligjet miratojnë draftin vetëm me votat e mazhorancës
Opozita braktis seancën, Halimi: Projektligji reformon sistemin e drejtësisë
Tre ligjeve të pa-miratuara nga opozita iu bashkua edhe projektligji për Administratën Gjyqësore. Ky draft ligjor u prezantua nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi dhe më pas u diskutua në parim nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve. Në përfundim ky projektligj u miratua vetëm me anëtarët e mazhorancës, pasi opozita preferoj të bëj disa deklarata politike dhe më pas e bojkotoj votimin në parim. Ministri Halimi deklaroi në Komisionin e Ligjeve se projektligji për administratën gjyqësore reformon sistemin e drejtësisë. “Mungesa e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për gjyqësorin pengon transparencën. Me këtë projekt ligj administratës gjyqësore po i jepet statusi që meriton, i cili e mbron e përforcon veprimtarinë e gjykatave. Reforma e administratës gjyqësore, është një nga çelësat kryesore të forcimit të besimit të publikut tek drejtësia”, u shpreh Halimi.
Por, nga ana e saj opozita në komision nuk kurseu akuzat ndaj sistemit gjyqësor.
“Gjykatat janë peng e kancelarëve sekser të gjyqtarëve. Administrata gjyqësore e politizuar. U kundërshtua deklarata e SHBA për 21 janarin, u mbrojtën gjyqtarët e korruptuar”, vlerësoi nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, deputet i PS-së, Fatmir Xhafaj.
Ky draft ligjor, pavarësisht debateve politike mes palëve, morri miratimin edhe para anëtarëve të Komisionit të Ligjeve nga përfaqësuesi i EURALIUS-it në Shqipëri z.Joaquin Urias.
Ministri i Drejtësisë, Halimi: Reforma s‘do ndalet, pavarësisht bojkotit të opozitës
Ministri Halimi komenton në Facebook projektligjin për Administratën Gjyqësore, duke e konsideruar këtë si pjesë të rëndësishme të paketës në reformimin e drejtësisë. Braktisjen e komisionit të ligjeve nga deputetët e opozitës gjatë diskutimit të projektligjit, Halimi e cilëson si bojkotim ndaj votuesve dhe qytetarëve, duke ngritur mure bllokimi për reformat. “Sot paraqitëm para Komisionit të ligjeve, së bashku me ekspertet e BE, projektligjin “Për administratën gjyqësore”. Kjo është një pjesë shume e rëndësishme e Paketës së Reformës në Drejtësi dhe një rekomandim i BE-së edhe në Raport Progresin e vitit të kaluar për Shqipërinë. Për herë të parë në reformojmë edhe këtë pjesë të rëndësishme te sistemit të drejtësisë. Administrata gjyqësore, është kontakti i parë i qytetarit me sistemin gjyqësor, është përballja e parë e qytetarit me sistemin e drejtësisë. Është një pikë thelbësore e krijimit të besimit të qytetarëve tek sistemi. Ekspertët e BE në komision deklaruan se projektligji është me standardet më të mira të BE, dhe se miratimi i tij është i rëndësishëm për Reformën e Sistemit të drejtësisë. Por edhe sot opozita në mënyrë brutale, i tha “JO” BE-së në komisionin e ligjeve, duke u përpjekur të ngrejë mure bllokimi për reformat. Edhe sot deputetët e opozitës bojkotuan seancën duke bojkotuar detyrimin që kanë ndaj votuesve të tyre dhe qytetarëve që paguajnë taksa për rrogat e tyre. Ata sot u larguan dhe morën rrogën nga taksat e qytetarëve, por nuk përmbushën detyrimin që ata kanë ndaj qytetarëve që u kanë dhënë votën të ulen në ato karrige. Por kjo reformë nuk do të ndalet. Ne ndryshuam sistemin e drejtësisë duke e bërë atë më transparent se kurrë më parë. Implementuam shortin digjital, ku qytetarët mund të shohin 24 orë në 24 se çfarë ndodh në gjykata, instaluam teknologjinë më të lartë në rajon për regjistrimin audio të çdo seance, që qytetarët të dëgjojnë dhe të shohin në dritë të diellit se çfarë thuhet në çdo seancë. Sot është radha e reformimit edhe të administratës gjyqësore, dhe ne do ta reformojmë, pa na penguar dot askush, pasi sistemi i drejtësisë ka nevojë për reforma që duhet të miratohen në parlament”- thekson ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.
...