Administrata e Bashës do përfundojë hipotekimet në Tiranë, brenda nëntorit
Në zemër të ish-Bllokut komunist zgjohet shpresa për ndryshim. Mijëra banorë mirëpresin alternativën e kandidatit të mazhorancës, Lulzim Basha, si dhe angazhimin qytetar të kandidates për minibashkinë nr.5, Erisa Xhixho. Brenda nëntorit premtohet zgjidhja e problematikës së pallateve të pahipotekuara, duke zgjidhur së pari, problemin e qytetarit, e pastaj duke nxjerrë nga ngërçi marrëdhëniet e biznesit me bashkinë e kryeqytetit
“Brenda 6 muajsh do të hipotekohet çdo apartament në Tiranë”. Është ky angazhimi i shprehur nga kandidati për kryetar të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në njësinë bashkiake numër 5. Ndërsa ka prezantuar kandidaten për kryetare të njësisë bashkiake, Erisa Xhixho, Basha premtoi se pas 9 majit qytetareve do t’u ofrohet një bashki dhe kryebashkiak i një lloji të ri që do shohë dhe dëgjojë problemet e qytetareve.
“Përpos vendosmërisë time për të hipotekuar dhe për të kthyer në kapitale në duart tuaja banesat ku ju jetoni, po kështu jam i vendosur, jo të zmbraps por të rikrijon bashkë me ju hapësirat e gjelbra që sot mungojnë. Hapi i parë është hedhur me kthimin e një hapësire të gjelbër, të projektuar për t’u betonizuar, hapësirës të ish-klubit sportiv ‘Dinamo’. Jam krenar që pata mundësi të bëj këtë për sportin, për lagjen tuaj, për Tiranën. Para se të vija këtu, dola nga banesa ku ishte edhe vajza ime 4 vjeçare. Më pyeti se ku po shkoj dhe i thashë që po shkoj në një takim. Për çfarë do flasësh më tha. Për gjëra të ndryshme. A ka të vegjël aty? Mund të ketë i thashë unë. Po çfarë do t’u premtosh të vegjëlve? Ia ktheva me një pyetje se çfarë kërkon që t’i premtoj të vegjëlve nga ty? U mendua fare pak dhe më tha, ‘jepu një përqafim nga unë’. Pastërtia e shpirtit e të vegjëlve tanë na tregon se ku duhet të fillojmë. Ne kemi vendosur së bashku të ofrojmë një përqasje të re qeverisëse. Një bashki dhe një kryebashkiak të llojit të ri, një bashki me zemër për qytetin dhe qytetarët. Konflikti politik nuk është rruga e zgjidhjes, aq më pak rruga e vetme për qytetin tonë. Ne kemi vendosur së bashku një pakt zemrash, Tirana jonë është e para, ju jeni të parët”, deklaroi Basha. Lulzim Basha shprehu në këtë takim, angazhimin dhe përkushtimin e tij për ndërtimin e unazës së madhe e cila çliron trafikun, përmirëson cilësinë e udhëtimit dhe të ajrit në kryeqytet, sikundër hap mbi 5 mijë vende të reja pune. Po kështu, Basha tha se do të ndërhyhet në lagjet e Tiranës për t’i asfaltuar dhe krijuar hapësira të gjelbra.
Erisa Xhixho: Me Bashën, do të zgjidhim çdo problem të qytetarëve të Tiranës
Kandidatja e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për minibashkinë nr. 5 në Tiranë, Erisa Xhixho, mori në pjesë në një takim me banorë të kësaj njësie në rrugën “Komuna e Parisit”. Xhixho, në fjalën e saj gjatë takimit, u shpreh se së bashku me Bashën do të mundësojnë hipotekat e qytetarëve. “Humori juaj do jetë më i mirë, sepse nëpërmjet kapitalit që do të çlirojmë ju do të keni mundësi të investoni për një të ardhme më të mirë. Kur të zgjidhim problemin e trafikut nëpërmjet hapjes së rrugëve të reja, mëngjesi juaj nuk do të nisi me sharje dhe mërzitje, por do të nisë normalisht, tha Xhixho. Kur të zgjidhim problemet e kanalizimeve, nuk do të ketë më trishtim në dyqanet e katet përdhese që sot përmbyten me pak orë shi”. Sipas Xhixhos, legalizimet në Selitë e më tej, do të jenë mëngjesi dhe darka e saj e përditshme, derisa të zgjidhen dhe çdokush prej qytetarëve të gëzojë pronën e vet, ashtu siç është premtuar. “Së bashku me ju dhe biznesin do punoj që zhurma e natës të zhduket dhe gjumin të gjithë ta bëjmë më të qetë. Lulishtet, kopshtet, sheshet për fëmijët dhe këndet sportive, nuk do të jenë më një histori nga e kaluara, por fryti i punës tonë të përbashkët për një minibashki të së ardhmes”, theksoi Erisa Xhixho.
Kandidati i mazhorancës për kryebashkiak i Tiranës, shpëtoi nga betonizimi 5.5 ha tek fusha e aviacionit
Edi Rama bën fushatë me projektet e realizuara nga Lulzim Basha
Përurimi i një vepre të papërfunduar, sikurse është parku te ish-fusha e Aviacionit, u bë nga kryetari i bashkisë Edi Rama i cili filloi zyrtarisht fushatën elektorale për një mandat të katërt në krye të bashkisë së Tiranës. Qeverisë dhe Këshillit të Rregullimit të territorit të Shqipërisë iu deshën 4 muaj për përfundimin e procedurave, ndërkohë që i kanë lënë bashkisë vetëm tenderimin. Sot Tirana ka vërtet një park të dytë ide e Lulzim Bashës në garë për bashkinë zotëruar nga Edi Rama pas vitesh zvarritjeje.
Që Tirana ka një park të gjelbëruar ky është një fakt që nuk fshihet dot aq më pak kur flitet për një sipërfaqe prej 5.5 hektarësh në atë që njihet si fusha e Aviacionit. Sigurisht krahas bashkisë që ka vetëm meritën e realizimit të tenderit për këtë park më shumë krenar dhe i lumtur duhet të ndihet ideuesi i këtij parku të gjelbëruar në Tiranë, një ish repart ushtarak me një rrugë plot pluhur mes qindra pallatesh të ngritura për qark.
Me siguri banorët e kësaj zone e njohin më mirë historinë e fushës së Aviacionit që i shpëtoi gllabërimit të ndërtimit të pallateve. Në atë kohë cilësinë e ministrit të punëve publike Lulzim Basha propozoi që 5.5 hektarët e fushës së aviacionit t’iu jepeshin tregtarëve në formën e një parku të madh të gjelbër. Ish ministri Basha priste dhe aprovimin e bashkisë së Tiranës për këtë sipërmarrje jo pak e rëndësishme për një qytet ku ndërtimet shumë katëshe u rrënonin çdo ditë hapësirat e gjelbra banorëve.
Ish drejtori i politikave për planifikim urban në ministrinë e Punëve Publike Marin Biçoku e rikujton lindjen e kësaj iniciative dhe sqaron se, “në ato tryezat e rrumbullakëta që bënim për ministrin për mundësi zhvillimi sa më të qëndrueshëm urban ka lindur pikërisht iniciativa që zona e fushës së Aviacionit të shndërrohej nga një përdorim jo hapësirë publike, stacione autobusi apo pallate, dhe për këtë arsye arritëm në një konkluzion që Tirana për shumë e shumë vite nuk kishte një park të ri dhe pikërisht ishte ideja dhe vizioni i zotit Basha për të kthyer këtë zonë në një park publik”.
Ministri e punëve publike Brenda një periudhe të shkurtër kohore mbylli gjithçka duhej për këtë park të gjelbër për Tiranën duke nisur me studimin për të cilën punoi instituti i urbanistikës dhe deri te miratimi në krye të 4 muajve nga Këshilli i Rregullimit të territorit të Republikës së Shqipërisë të ndryshimit të destinacionit për zonën.
Me vendimin nr. 2 të datës 04. 08. 2006, KRTRSH miratoi ndryshimin në planin rregullues të qytetit të Tiranës. Në territorin me sipërfaqen 5.5 hektarë të pistës së ish aeroportit të vjetër të Tiranës nga zonë e veçantë në zonë të gjelbër.
“Me sa më kujtohet mua bëhet fjalë për një periudhë 4 mujore ka qenë prill 2006 që ka lindur si ide dhe realisht është vënë vula e miratimit të KRTRSH në gusht të 2006-ës dhe janë 4 muaj ndjekja e procedurave ndonjëherë do dhe 4 vjet për t’u bërë kështu që realisht ka qenë periudha më e shkurtër dhe e mundshme sepse dhe vullneti dhe vizioni ishte i konsumuar për të realizuar këtë gjë. Prioritet i bashkisë së Tiranës ishte vetëm tenderi për firmën që do zbatonte atë dhe kur gjithçka ishte e përfunduar kur ministria e Punëve Publike dhe qeveria mbyllën çdo procedurë në pak muaj , bashkisë së Tiranës iu deshën më shumë se 2 vite për tenderin dhe më shumë se 5 vite për të zbatuar atë që nisi si iniciativë e një vullneti të mirë. 5 vjet krahasuar me 4 muaj janë shumë, llogaritë bëhen vetë”, sqaron më tej Marin Biçoku.
Plot 5 vjet prej hedhjes publikisht të këtij propozimi bashkisë i duhej të inspektojë punimet e papërfunduara e çuditërisht përkojnë edhe me fushatën zgjedhore.
Se sa shije të mirë i lë Ramës ky park vlen të diskutohet. Megjithëkëtë banorët kanë shumë për të thënë e bashkë me ta edhe promotori i kësaj iniciative, Basha, i cili pjesë të platformës së tij ka bërë edhe një park të gjelbër por dhe shumë hapësira të gjelbra në çdo lagje të kryeqytetit.