E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kazani i Mesdheut

17-04-2011 / Nga Giovanni Sartori (Corriere della Sera)

Kryengritjet në botën arabe që shfaqen në Mesdhe e kanë zënë në befasi Perëndimin. Nuk mund të ishte ndryshe: janë kryengritje të bëra nga të  rinjtë të nxitur nga teknologjia, telefonat celularë, televizioni dhe mbi të gjitha interneti. Si mund të kuptohet nëse dhe kur “Rrjeti” do të ndezë një zjarr? Shumë thonë “revolucion”, por gabohen. Tani për tani po asistojmë vetëm në revolta, kryengritje që në të kaluarën kanë qenë më shumë revolta të fshatarëve, të cilat nuk kanë zgjidhur asgjë, sepse ishin vetëm revolta.
Revolucionet janë ndryshe dhe janë diçka moderne. I pari që u quajt i tillë ishte “revolucioni i lavdishëm” anglez i viteve 1688-1689, por ishte një revolucion i pazakontë. Revolucion sepse transformoi monarkinë angleze në një monarki parlamentare; por i pazakontë sepse u zhvillua pa asnjë plumb të shkrepur. Revolucion “model” ishte ai francez i vitit 1789, sepse ishte një pushtim i dhunshëm i fuqisë nga poshtë, që më pas ristrukturon pushtetin. Kjo nënkupton se një revolucion është i tillë, sepse përvetëson një projekt që më pas realizohet. Prapa revolucionit francez fshihej epoka e iluminizmit, ndërsa pas kryengritjeve nuk ka asgjë. Ato janë shpërthime pa projekt.
Pothuajse në të gjithë Afrikën dhe rrethinat e saj edhe pse me përjashtime të rëndësishme, pushtetin sot e kanë ushtarët dhe janë pikërisht ata që bllokojnë Islamin. Në Siri, Asadi, babai i Presidentit aktual, e shkatërroi Vëllazërinë Myslimane me armë zjarri. Në Irak, diktatura e ashpër e Saddam Huseinit ishte laike, sepse Saddami e përjashtoi Islamin nga sistemi i tij i pushtetit. Në Egjipt, Mubaraku, i cili ishte një diktator i moderuar, i kontrollonte shumë Vëllazërinë Myslimane të vendit të tij. Në vitin 2005, lejoi që të paraqiteshin  në zgjedhje rreth 100 dhe u gjend, për habinë e tij, me 88 vende (20% e kuvendit popullor) të zëna nga islamikët. Aty ku mbretëron kaosi, si në Somali, vetëm ndërhyrja etiopike pengon ekstremistët e al-Kaedës të marrin kontrollin e vendit. Në Perëndim, kush deklaron se “revolucionet arabe kanë varrosur islamizmin” flet se ka pak njohuri për çështjen. Kthehem në Egjipt. Atje edhe rebelët kërkojnë ‘demokraci”.
Nëse shikojmë strukturat e Egjiptit, ai zyrtarisht është, një “Republikë arabe me një sistem socialist demokratik” të tipit presidencial, me një President të zgjedhur me votim të drejtpërdrejt për 6 vjet (të rinovueshëm) dhe me një parlament dy-dhomash dhe ai i zgjedhur periodikisht. Megjithatë, ishte fakt një sistem autoritar i bazuar në fuqinë e ushtrisë. Në letër Egjipti është ose mund të jetë, një demokraci. Forcat e organizuara që përziejnë  letrat e lojës janë fuqia e pushtetit nga njëra anë dhe Kurani nga ana tjetër. Ndoshta të rinjtë që kanë dominuar sheshin mundohen të organizohen në parti ose në forca elektorale dhe qeveritare. Ndoshta, por rinia që rebelohet në Afrikën e Veriut dhe në rrethinat e saj nuk është e përgatitur për këtë. Siç thashë, nuk ka një projekt. Drama është se do ta shohë vetën në Egjipt, Tunizi dhe Libi (ku me të vërtetë asistojmë në një «drôle de guerre», në një luftë të çuditshme që nuk ka precedentë) më të uritur se kurrë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›