E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Bujqësisë: Rrezikohet gjysma e Shqipërisë

ALARMI/ Të gjithë lumenjtë konsiderohen jashtë kontrollit, ndërsa problematikë po shfaqen edhe rezervuarët

Reshjet e vazhdueshme, thuajse në gjithë territorin e vendit, kanë rritur ndjeshëm nivelin e ujërave në rezervuarë, lumenj, përrenj dhe në infrastrukturën e kullimit. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (MBUMK), informon se për periudhën janar-shkurt, në zonën e Shkodrës janë regjistruar 1430 mm shi, ose 70 për qind e mesatares së reshjeve vjetore. Rritja e nivelit të ujit në lumenj ka bërë evidente probleme të shumta, që kanë të bëjnë me rrëshqitje të pjesshme të digave të rezervuarve, prishje të argjinaturave lumore, gërryerjet masive të tokës bujqësore në brigjet e lumenjve, si dhe është shfaqur ndjeshëm fenomeni i rrëshqitjes së tokës. Sipas MBUMK, situata bëhet edhe më alarmante kur merret parasysh se poshtë digave shtrihen me qindra zona banimi. Sipas saj, gjysma e territorit të vendit tonë rrezikohet nga përmbytjet. Vërshimi i shkarkimit nga kaskada e Drinit ka kthyer sërish përmbytjet në Qarkun e Shkodrës. Sipas MBUMK, vetëm dy ditë më parë në këtë vend sasia e reshjeve të shiut ka arritur 99 mm, ndërsa numërohen 17 ditë shi. Situata paraqitet kritike në shumë zona ku po vazhdon gërryerja e tokës bujqësore dhe rrezikohen shumë shtëpi banimi. Ndërkohë, të dhënat e MBUMK tregojnë se argjinaturat e lumenjve nuk po i përballojnë dot prurjet e tyre. Në Qarkun e Korçës, vërshimi i lumit Devoll ka dëmtuar argjinaturën e këtij të fundit dhe rreth 3000 ha tokë bujqësore ndodhen nën ujë. Ndërsa Lezha rrezikohet nga rritja e lumit Mat, si rezultat i shkarkimeve të mëdha nga Hidrocentrali i Shkopetit në këtë lumë. Në Qarkun e Kukësit janë hasur probleme serioze në rezervuarët e zonës së Hasit, pjesa më e madhe e të cilëve janë tejmbushur. Rritja e nivelit të rezervuarve sipas MBUMK është një problem dhe për Qarkun e Durrësit, ku rezervuari Memaj ka kaluar tashmë nivelin maksimal. Ndërkohë, sipas saj, dëmtimet e evidentuara në digën e Paskuqanit, në Tiranë, rrezikojnë zonën e banuar përreth saj. Në zonën e Fierit po merren masa të menjëhershme, pasi në rezervuarin e Kurjanit janë vënë re dëmtime në konturet e tij. Rezervuari i Kajaçkës është bërë një rrezik për shumë zona në Qarkun e Beratit dhe atë të Gjirokastrës. Ndërsa lumi Shushica po avancon me gërryerjet e tokës në zonën e Vlorës, e njëjta situatë duket dhe në Elbasan, ku Shkumbini është kthyer në rrezik për shumë banorë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›