Administrata në fushatë, McCormack takon Totozanin. AP: Do hetojmë
Tiranë- Në një kohë kur opozita ka hedhur akuza të përfshirjes së administratës në fushatën zgjedhore, shefja e misionit të OSBE/ODHIR-it, Conny McCormack takoi sot Avokatin e Popullit, Igli Totozani për tu interesuar me punën e këtij institucioni sa i takon ankesave të ardhura në adresë të tij lidhur me këtë çështje.
Sipas zyrës së shtypit të Avokatit të Popullit, McCormack, shprehu interesin e saj lidhur me veprimtarinë e institucionit, ku më veçanërisht u interesua për ankesat e depozituara, apo hetimet e kryera lidhur me vperimet, ose mosveprimet e organeve të administratës gjatë kësaj periudhe.
Zyra e shtypit tha se Avokati i Popullit informoi shefen e misionit lidhur me ankesat e paraqitura dhe veprimet e kryera për hetimin e tyre dhe e siguroi atë se do të monitorohet në vashdimësi veprimet e administratës.
Avokati i Popullit në zbatim të rolit të tij kushtetues dhe ligjor do vazhdojë të trajtojë me kujdes, përkushtim dhe diskrecion të gjitha ankesat e qytetarëve.
Gjithashtu, Avokati i Popullit do të hetojë dhe do të monitorojë në vazhdimësi veprimet e administratës për të garantuar paanshmërinë, profesionalizmin dhe dedikimin e saj në shërbim të qytetarit,- thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.