E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet i afermi i Bollanos

Një 72-vjeçar u masakrua në qendër të Himarës, për shkak se nuk ra dakord për pagesën me lushnjarin që ishte punësuar pranë tij. Agresori therriste: Krishti u ngjall!

HIMARË - “Krishti u ngjall, Krishti u ngjall!!!”. Me këtë shprehje e mbylli dje krimin e tij një 24-vjeçar, i cilësuar monstër, që masakroi një të moshuar, të cilit fillimisht i çau kafkën, i nxori prej andej trurin e më pas i hapi barkun me një thikë, duke i nxjerrë jashtë organet e brendshme. Qyteza e Himarës u trondit dje nga një ngjarje tejet e pazakontë, teksa 72-vjeçari Pirro Bollano, një i afërm i largët i kryetarit të bashkisë Vasil Bollano, gjeti vdekjen në mënyrë makabre. E kishte punësuar si punëtor me mëditje, pa e ditur se konfliktet për pagesën “do t’i hanin kokën”. Gjithçka ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta me 24-vjeçarin nga fshati Fiershegan i Lushnjës, Bledi Xhaferi, i cili punonte me mëditje si punëtor krahu në Himarë.

Ngjarja

Vrasja në Himarë u shënua paraditen e djeshme, teksa punëtori i krahut, Xhaferi, nisi të debatojë me të moshuarin Bollano, për çështjen e pagesës. Pasi nuk mundën të bien dakord për lekët, 24-vjeçari rrëmbeu nga toka gurë e sende të forta, me të cilat nisi të godasë kudo, në kokë, trup e fytyrë 72-vjeçarin, i cili u rrëzua menjëherë në tokë, për shkak të plagëve. Mësohet se i moshuari gjeti vdekjen nga hemorragjia e madhe nga plagët që i shkaktoi i riu, që njihej në Himarë si person me probleme të theksuara mendore. “E goditi pa mëshirë me gur në kokë, ndërsa nga koka e Pirros i cili ra përtokë, nisi të rrjedhë gjaku rrëke”, - tregojnë të rrënqethur dëshmitarët.

Ngjarja ndodhi në qendër të Himarës, përballë godinës së Albtelekomit, ndërsa shumë të pranishëm e panë gjithë skenën. Sipas dëshmitarëve okularë, pasi e rrëzoi në tokë nga goditjet, i riu vijoi edhe më, derisa i çau kafkën. “Më pas, si në ekstazë, ai futi gishtat në kafkën e thyer të plakut, duke i nxjerrë trurin”, thanë për gazetën banorët që asistuan në ngjarjen e pazakontë. Pasi përfundoi me kokën e 72-vjeçarit, i cilësuari monstër nxori nga xhepi një thikë, me të cilën i përshkoi barkun tejpërtej viktimës, duke i çarë të gjithë organet e brendshme. Pas kësaj, ai u gjunjëzua përpara viktimës dhe nisi të bërtasë “Krishti u ngjall”. Banorët, tejet të frikësuar, u futën në dyqane a shtëpi, ndërsa një efektiv i policisë së Himarës mundi t’i afrohet 24-vjeçarit të gjunjëzuar përpara viktimës dhe e neutralizoi. Policia lokale prangosi Bledi Xhaferin, të cilin e shoqëruan fillimisht në postën e policisë së Himarës, e më pas drejt paraburgimit të Komisariatit të Vlorës. Uniformat blu konfirmuan se vrasësi ka probleme mendore, por gjithsesi hetimet kanë nisur dhe ai do të analizohet nga specialistët përkatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›