Admirali Mark P. Fitzgerald: NATO do të mbështesë modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare
Kryeministri Berisha priti sot në takim Komandantin e ri të Krahut Jugor të NATO-s, Admiral Mark P. Fitzgerald.
Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Kryeministri Berisha i shprehu Admiralit Mark P. Fitzgerald mirënjohjen e tij dhe të gjithë shqiptarëve për mbështetjen, kontributin dhe bashkëpunimin mjaft të frytshëm që NATO ka treguar ndaj Shqipërisë, në të gjitha hapat e zhvillimit të saj.
Admirali Fitzgerald e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe u shpreh se zhvillimet e fundit mjaft të rëndësishme, jo vetëm për Kosovën por për të gjithë Ballkanin, bëjnë që rajoni të shohë me optimizëm të ardhmen.
Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria është fokusuar në dy projektet e saj madhore, integrimin në NATO dhe në BE, projekte këto që janë më të mëdhatë e shekullit për shqiptarët dhe për mbarë vendet e rajonit.
Mbështetja e NATO-s ndaj Forcave tona të Armatosura ka qenë dhe është shumë e rëndësishme, gjithashtu ne vlerësojmë dhe pranojmë plotësisht platformën e NATO-s, për të gjykuar në bazë të ecurisë së reformave jetike në Shqipëri, vijoi më tej Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për faktin që vizita e Admiral Mark P. Fitzgerald vinte në një klimë shumë të favorshme politike në vend. Ai u ndal në punën e përbashkët të forcave politike shqiptare për të bashkëpunuar në çdo reformë që forcon demokracinë, zhvillimin ekonomik, si dhe Forcat tona të Armatosura, bashkëpunim ky jetik për vendin.
Në këtë kuadër, edhe reforma në drejtësi ka ecur në një rrugë të shëndetshme, theksoi Kryeministri, duke nënvizuar se sapo është votuar ligji për gjyqësorin dhe po shkohet në kalimin e ligjeve të tjera. Po kështu, edhe reforma elektorale po njeh përparime dhe ka një vullnet politik në këtë drejtim.
Kryeministri Berisha u ndal edhe në luftën e pandërprerë që qeveria dhe institucionet përkatëse po ndërmarrin kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që më parë ishin kthyer në sistem, por që tani njohin një rënie drastike në indekse.
Më tej, Kryeministri Berisha e njohu Admiral Mark P. Fitzgerald me reformat serioze në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe të modernizimit të Forcave tona të Armatosura. Ai i bëri me dije Admiral Mark P. Fitzgerald se ekonomia shqiptare, me një rritje prej 6%, bazohet mbi një paketë fiskale që e vendos atë në vendin me barrën më të ulët në Europë. Këto rezultate dhe lufta kundër evazionit fiskal dhe informalitetit, dixhitalizimi i mjaft procedurave dhe rritja e transparencës, ka bërë që Shqipëria të jetë një vend tërheqës për investimet e huaja që janë në rritje.
Në lidhje me reformimin e Forcave tona të Armatosura, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare ka bërë dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet për krijimin e një ushtrie moderne dhe të aftë, për të ndërmarrë të gjitha operacionet në mbrojtje dhe në ndihmë të popullatës shqiptare, si dhe për të përmbushur standardet e NATO-s.
Forcat tona të Armatosura, vijoi Kryeministri Berisha, janë prezentë në Irak, Afganistan, Ballkan dhe së shpejti edhe në Darfur.
Admiral Mark P. Fitzgerald u shpreh se ai ishte i impresionuar nga progresi i Shqipërisë në këto vite. Ai vijoi se Shqipëria duhet të jetë krenare për arritjet e lidershipit të saj, ashtu siç NATO është krenare për të.
Admiral Mark P. Fitzgerald e falënderoi Kryeministrin Berisha për pjesëmarrjen mjaft profesionale të Shqipërisë me misionet paqeruajtëse në Irak, Afganistan e Ballkan dhe u shpreh se NATO do të mbështesë modernizimin e Forcave tona të Armatosura me trajnime, me ekspertë etj.
Ne e njohim rëndësinë e ftesës për anëtarësim në NATO për vendin tuaj dhe vlerësojmë shumë punën e madhe qe qeveria juaj po ndërmerr në këtë drejtim, theksoi Admiral Mark P. Fitzgerald.
Gjithashtu, Admirali Mark P. Fitzgerald u shpreh se NATO vlerëson shumë pozitivisht rolin stabilizues të Shqipërisë në çështjen e Kosovës, si dhe për zhvillimet e rajonit në tërësi. Pavarësia e Kosovës do të thotë stabilitet dhe paqe për mbarë rajonin dhe festimet e kosovarëve për pavarësinë, plot dinjitet, janë një sinjal shpresëdhënës në këtë drejtim, vijoi më tej Admiral Mark P. Fitzgerald.