E Diel, 1 Nëntor 2026

Adoleshentët harrojnë librat,44 për qind s’duan të lexojnë

Kalojnë klasën me “paterica”, ndërkohë që pjesën më të madhe të kohës e shpenzojnë para kompjuterit apo televizorit.

Janë jo pak, por 44% e nxënësve të klasave të nënta të vitit të parë gjimnaz, që marrëdhënien me librat e kanë aspak të mirë. Megjithëse nuk u mungon informacioni, formimi i tyre me shprehi e njohuri të vlefshme, lë për të dëshiruar. Nuk bëhet fjalë vetëm për ato tekste, të cilat duhet t’i mësojnë me detyrim në shkollë. Adoleshentët shqiptarë duket se nuk e kanë fort dëshirë të lexuarin në përgjithësi. Ndonëse njohin mirë tipet më të reja të celularëve, makinat më të shtrenjta apo tendencat e modës, po t’i pyesësh për autorë librash, që moshatarët e tyre të dikurshëm i dinin në majë të gishtave, zor se të kthejnë përgjigje. Një pjesë e mirë e prindërve bëjnë ç’të mundin duke i këshilluar, të tjerë i lënë të lirë. Por ajo çka dihet me siguri është se pasojat e kësaj “krize” në marrëdhënien me librin dhe leximin në tërësi, kanë prekur të gjithë brezin. Ato janë të pakthyeshme sa i përket formimit të adoleshentëve, të cilët pas pak vitesh do të duhet të jenë të denjë për të mbajtur një pozicion pune. Sigurisht, nuk mungojnë përjashtimet, pasi ende mijëra nxënës kultivojnë dijet jo vetëm nga librat e shkollës. Por të paktën, siç pranohet dhe nga vetë mësuesit, fenomeni i braktisjes së librave po zgjerohet.
Mangësitë i ka evidentuar gjithashtu vetë Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Në strategjinë kombëtare të arsimit parauniversitar, për katër vitet e ardhshme është bërë një panoramë e situatës aktuale. Specialistët i janë referuar të dhënave të ndërkombëtarëve. Në një testim të kryer nga programi ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, Shqipëria paraqitet mjaft dobët. Rreth 44% e nxënësve pesëmbëdhjetëvjeçarë rezultojnë të kenë arritje tepër të ulëta, përsa i përket leximit. Ata nuk pëlqejnë të lexojnë libra jashtëshkollorë, ndërsa mësojnë me sforco lëndët e klasës.
Problemet me kurrikulat
Brenda ambienteve shkollore, nga sa thuhet në strategji, për vetë mënyrën si janë ndërtuar kurrikulat, interesi i të nxënit ka shënuar rënie të ndjeshme. “Një nga shkaqet e nivelit të ulët të përvetësimit të dijeve shkollore nga një masë e madhe nxënësish, është mungesa e interesit të këtyre të fundit për mësimin. është e nevojshme që të përshtatet përmbajtja kurrikulare dhe procesi mësimor me kërkesat e zhvillimit. Gjithashtu, normalizimi i ngarkesës është një objektiv që duhet të realizohet, si përmes eliminimit të materialit të panevojshëm, ashtu edhe nëpërmjet konsolidimit të mëtejshëm të reformës kurrikulare”, - thuhet në dokumentin e MASH-it. Sipas ekspertëve të arsimit duhet të ndërhyhet në mënyrë që kurrikulat të orientohen nga cilësia e mësimdhënie-mësimnxënie, duke u siguruar nxënësve kohë të mjaftueshme për stimulimin e të menduarit të pavarur, kritik e krijues. Gjithashtu, duhet të kultivohen shprehitë e punës në grupe. Një tjetër problem që evidentohet si shkak i uljes së nivelit të cilësisë së mësimit në shkolla është mbipopullimi i klasave. Ndonëse drejtuesit e ish-drejtuesit e MASH-it kanë “trumbetuar” me forcë se përmirësimet në këtë drejtim janë të ndjeshme, në qytetet e mëdha klasat vijojnë të dynden nga nxënësit. Me të tilla kushte nxënësit bëhen pasivë që në bankat e shkollës, duke mos iu dhënë mundësi të ngrihen në mësim aq sa duhet, por të testohen vetëm me shkrim. “Reagimi i ngadaltë i sektorit publik ndaj migrimit të popullsisë, ka bërë që shkollat në qytetet e mëdha të punojnë mbi kapacitetin e tyre”, - thuhet në strategji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›