Kapllani, sërish gol në miqësore
Sulmuesi i Kombëtares, Edmond Kapllani, po tregon një formë të shkëlqyer gjatë miqësoreve të ekipit të tij, Augsburg. Lojtari durrsak ishte protagonist në ndeshjen e fituar 4-1 kundër skuadrës zvicerane të Kategorisë së Dytë, Vinterthur. Edhe pse shënoi golin e katërt të Augusburgut (në minutën e 87-të), Kapllani goditi dy herë shtyllën (12’ dhe 63’). Gjithashtu, sulmuesi dha asistin e golit të realizuar nga shoku i tij i skuadrës, Goran Sukalo. Kapllani u tregua shumë aktiv gjatë ndeshjes, duke rrezikuar disa herë portën e zviceranëve. 27-vjeçari do të jetë pjesë e kuqezinjve në miqësoren e 11 gushtit kundër Uzbekistanit. E veçanta është se kjo ndeshje do të luhet në vendlindjen e tij, Durrës.