Adoleshentët jemi ne
Janë të ndryshëm, por të gjithë bashkohen në një pikë: përplasjet me prindërit janë të pashmangshme. Si i kalojnë ditët adoleshentët “rebelë” të Tiranës dhe cilat janë planet e tyre në sirtar…
Françeska Kokomani dhe Enxhi Konçi, 16 dhe 15 vjeç, e kishin lënë për t’u takuar në parkun “Rinia”. Mikeshat e ngushta dalin të premteve mbrëma, aq më shumë që shkolla është lënë pas krahëve në këtë periudhë vere. Duken tipa sportivë, që siç na rrëfejnë, janë disi ndryshe nga bashkëmoshataret e tyre. “Përgjithësisht vishemi sport, sepse kështu tipi jemi dhe siç e shikon, nuk na pëlqen të grimohemi, por me prindërit kemi përplasje ama”, -thotë Françeska, e cila nuk e fsheh që ndryshimi i mentalitetit mes tyre e prindërve është i dukshëm. Për to, veshja dhe grimi nuk janë object për sherr. Janë të tjera gjëra që i kanë vënë në anën tjetër të peshores. “Unë studioj në një shkollë të mesme private dhe ajo që më ka bërë të debatoj me prindërit e mi është e ardhmja ime. Unë dua të bëhem juriste, kurse ata kërkojnë t’i përkushtohem ekonomikut. Tani nuk di se çfarë të zgjedh”,- rrëfen Françeska, e cila në ndryshim nga moshatarët e saj duket se ka nisur të mendojë për të ardhmen. Kurse Enxhi tregon për “Faqet e së shtunës” se sa i përket të ardhmes është në një mendje me të dy prindërit. “Pas shumë kohësh kemi rënë dakord që unë të bëhem arkitekte. Prindërit e kanë pëlqyer zgjedhjen time”.
Në xhiro me shokët
Një grup të rinjsh, nga 15 deri në 18 vjeç, të veshur me kujdes, nuk ngurrojnë të shkrepin aparatin fotografik. Të gjashtë janë po aq të ndryshëm, sa edhe të njëjtë. “Sigurisht që jemi veshur bukur sepse kemi dalë këtë pasdite dhe nuk do jemi të veshur njësoj si paradite”, -thotë Jonida, 18 vjeçe. Pa i hequr syzet e diellit, edhe pse kanë mbetur rrezet e fundit të pasdites, Jonida thotë se në kohët e sotme vajzat kujdesen më shumë për veten. Megjithatë, shoku i saj, Genti 18 vjeç as që është dakord me pohimin e Jonidës. “Nuk është e vërtetë,edhe djemtë kujdesen shumë për veten dhe vishen bukur në ditët e sotme. Mbi të gjitha veshja është kulturë për veten”, -shprehet Genti, i cili shton se është e vërtetë që vajzat shfaqen më shumë të veshura bukur për shkak se kanë më shumë mundësi stilimi për flokët, më shumë modele fustanesh e mbi të gjitha se u lejohet të bëjnë makiazh. Por kur i pyet se për ku janë nisur të gjashtë shokët e ngushtë, Greta, Jonida, Lindi, Genti, Geri dhe Shpendi nuk dinë të të përgjigjen. “Të shkojmë, ku të shkojmë. Nuk kemi ndonjë plan për sot”,- të thonë. Megjithatë, ajo që duket se edhe mund të mos ta mendojnë, nuk rezulton e vërtetë. Ata i kanë të qarta në kokë idetë se çfarë do të bëhen “kur të rriten”. Jonida thotë se do të bëhet mjeke, Genti jurist, Shpendi ekonomist. Të tre me profesione të pëlqyera nga prindërit. Kurse tre të rinjtë e tjerë shprehin dëshira të ndryshme. “Unë dua të bëhem murator”,- thotë Lindi, i cili ka nisur ta mësojë këtë zanat. Nga ana tjetër, dy profesionet më “ëndërritmare”, siç ua përcaktojnë edhe shokët mbeten për Gretën dhe Gerin. “Dua të bëhem futbollist”,- thotë Geri, ndërkohë që Greta dëshiron të sfilojë në pasarela mode, me profesionin “topmodele”. “Shpresoj të bëhem topmodele, sepse tek e fundit ju e shihni që kam një trup të bukur dhe jam 1 metër e 74 centimër, gjatësi e mirë për një vajzë pasarelash”,- tregon Greta 15 vjeçe.
Me prindërit, përherë në zënka
Edhe pse ëndrrat për të ardhmen i kanë të ndryshme, adoleshentët duket se disa gjëra i kanë tej mase të përbashkëta: zënkat me prindërit. “Oh, zihemi çdo ditë me ta: për veshjen tonë, për daljet në orët e vona dhe sidomos për kthimin në shtëpi”, -tregon Greta. Por edhe për djemtë ndodh e njëjta gjë, edhe pse oraret e vendosura nga prindërit për kthimin në shtëpi janë larg njëri-tjetrit. “Tani që është verë dhe dalim me shoqërinë, prindërit na ndërhyjnë shumë tek veshja sepse nuk duan që të vishemi në mënyrë të ekzagjeruar. Por të paktën na kanë lënë një orar kthimi që ne kemi rënë dakord. Orën 1 të mëngjesit, kur e dinë që jemi të shoqëruar”, -tregojnë vajzat. Ndërsa djemtë, menjëherë shtojnë se për ta prindërit janë treguar më bujarë. “Ne mund të kthehemi edhe në orën 3 të mëngjesit, edhe pse prindërit mbeten të shqetësuar, derisa të kthehemi në shtëpi”, -thotë Genti. Treguar nga ata, edhe diçka tjetër i çon në debat me prindërit. “Gjithnjë na thonë lexoni, lexoni më shumë, por ne na mungon durimi”, -thotë Geri 16 vjeç, i cili shton se nuk ka menduar aspak të lexojë ndonjë libër këtë verë. “Unë lexoj ndonjë romancë të lehtë, se ato më pëlqejnë. Nuk kam kohë për libra me shumë faqe”, -përfundon Jonida.
Veshur e ngjeshur, pastaj nga Blloku
Ish-Blloku është kthyer tashmë qendra e adoleshentëve të kryeqytetit. Të gjithë vishen me kujdes, trukohen, lënë oraret e takimeve me miqtë e tyre e nisen për nga blloku. Tani në verë duket se vajzat e kanë lëshuar më shumë dorën me veshjet e tyre. Minifundet dhe kanatjeret me rripa duket se janë më të preferuarat kurse flokët i mbajnë të lëshuara e të krehura me kujdes. Pas nuk mbeten as djemtë, të cilët kanë mësuar të kujdesen për veten. Flokët përpjetë e të lyer me xhel, pantallona lino, këmisha me jakë ngritur e kush prej tyre me ndonjë makinë luksoze. Ajo që vihet re në xhirot e adoleshentëve nga blloku është se të gjithë janë të qeshur dhe kanë mësuar mirë se si të parakalojnë në “pasarelat” e krijuara në mendjet e tyre.
“Komunikimi i humbur prindër-fëmijë”
Marrëdhëniet prind-adoleshent në shoqërinë shqiptare ndryshojnë dukshëm nga marrëdhëniet prind-adoleshent në vendet perëndimore. Prindërit shqiptarë janë më të prirur dhe më të angazhuar emocionalisht për të përkrahur fëmijën e tyre në adoleshencë, por edhe më pas. Nënat interesohen për vajzat e tyre edhe në fakultet në lidhje me mungesat apo notat e marra, si edhe kur marrin diplomën. Kjo dukuri në perëndim nuk ndodh pasi pas moshës 18 vjeç, që ende mbetet një moshë në adoleshencë, të rinjtë janë tepër të pavarur duke krijuar një lloj shkëputjeje me familjen. Shumica e prindërve në Shqipëri e kanë të vështirë komunikimin me fëmijët e tyre për shkak se ekziston një kontrast i madh mes koncepteve dhe botëkuptimit të prindërve dhe fëmijëve të tyre. Por nga ana tjetër edhe prindërit duhet të socializohen dhe të përshtaten me ndryshimet e reja. Këta prindër nuk mund të thonë “Jo” për çdo gjë që kërkon të bëjë fëmija i tyre. Adoleshentët duhet përkrahur në gjykimet dhe kërkesat e tyre racionale dhe prindërit le t’u thonë “Jo” vetëm tekave dhe teprimeve. Por edhe tek një kufizim apo një thënie “Jo” kundrejt një kërkese të tepruar të fëmijës, prindërit duhet të bëjnë kujdes sepse edhe mënyra e komunikimit mbart rëndësinë e saj. Ka shumë mënyra për të mohuar dhe penguar diçka por çështja është të gjejmë më të përshtatshmen dhe më pak të rëndën. Për këtë prindërit duhet të shfletojnë revista apo libra psikologjie, për të krijuar një lloj përgatitje të tyren se si të përballen me fëmijët e tyre adoleshentë.
Prof.Dr Zyhdi Dervishi
“Reparti” i veçantë i adoleshentëve të Tiranës
Adoleshentët e kryeqytetit përbëjnë një “repart” të veçantë të adoleshentëve në Shqipëri. Këta janë më pranë dukurive të reja, por edhe më pranë rreziqeve si përdorimi i lëndëve narkotike, prostitucioni, konsumimi i pijeve alkolike, pirja e duhanit etj. Ajo që konstatojnë edhe sociologët është se adoleshentët e kryeqytetit janë larguar më shumë nga libri, kjo në raport me adoleshentët e qyteteve të tjera në vendin tonë. Për shembull, gjatë Maturës Shtetërore mjaft nxënës të rretheve kanë dalë me rezultate të shkëlqyera dhe më pak adoleshentë kryeqytetas kanë marrë vlerësim të mirë. Tirana ka humbur monopolin e nxënësve më të mirë dhe ky monopol është shpërndarë në periferi si në Fier, Lushnje, Vlorë, Sarandë, Shkodër etj. Ky fenomen po ndodh edhe pse kushtet në kryeqytet mbeten më optimalet për adoleshentët. Dhe i gjithë ky fenomen e ka një shpjegim. Me mundësitë e shumta që të ofron Tirana, adoleshentëve u merr më shumë kohë, kohë e cila fare mirë mund të përdorej për studim. Duhet ditur që të rinjtë që jepen me tepri pas qejfeve të moshës nuk janë më në gjendje për të hedhur bazat për arsimimin e tyre të fortë. Këta adoleshentë shpeshherë ndodh që më shumë të zvarriten se sa të ecin me këmbët e tyre në jetë. Madje mund të vërehet edhe një çarje brezash ku hendeku zgjerohet. Një nga brezat e familjes punon shumë dhe pasardhësi jo, duke mbetur thjesht në konsumimin e të mirave të arritura nga brezi pasardhës. Nga ana tjetër do të ishte i këshillueshëm angazhimi sezonal në punë i adoleshentëve, punë e cila mund t’i ndihmojë tej mase në karakterin dhe objektivat e tyre por kjo punë nuk duhet të kalojë kufirin, duke u bërë e përhershme. Sepse në të kundërt mund të ketë efekt negativ tek adoleshenti.