E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoping në internet me një klikim të mausit!

 

Tendenca e të bërit pazar vetëm me disa klikime me maus në kompjuter në faqet elektronike ku shiten lloj-lloj sendesh është e re për shqiptarët. Megjithatë, kjo lloj “mode” po përqafohet çdo ditë e më shumë nga të gjithë ata që kanë në xhep një kartë krediti

Nuk ka kurrfarë dallimi tashmë. Nëse je një grua, patjetër që mund të blesh nëpërmjet kompjuterit, por edhe nëse je një burrë. Ajo që nevojitet në këtë rast është vetëm një kartë krediti, e mbushur me para, një zgjedhje e saktë e faqes së sigurt kompjuterike që ofron produktet si dhe durimi për të pritur nga një javë deri në 1 muaj, derisa porosia të mbërrijë në destinacion. Kështu bëri edhe Klevis Çela, të cilit iu desh një javë derisa disa veshje sportive që kishte porositur nëpërmjet një faqeje elektronike në Angli, t’i vinin në derën e shtëpisë. “Gjithçka erdhi siç e kisha porositur, pa asnjë lloj problemi”, -rrëfen një nga blerësit on-line të Tiranës, njëkohësisht punonjës i një banke në kryeqytet.

Mania on-line

Kushdo që ka një kartë krediti nga bankat në Shqipëri, me një klikim të mausit mund të blejë çfarë të dojë në “dyqanet elektronike”. Që nga fustanet, këmishat, pantallonat, të brendshmet, veshjet sportive, mobiljet për shtëpi, për zyrë, pajisje elektronike, pajisje mjekësore deri edhe medikamentet. “Janë disa arsye që na shtyjnë të bëjmë blerje në këtë mënyrë. Së pari, veshjet janë të gjitha cilësore, ashtu siç publikohen në internet. Çmimet janë shumë herë më të lira krahasuar me veshjet në dyqanet e kryeqytetit, sidomos në Amerikë, ku dollari ka pësuar rënie si dhe gjithçka të vjen tek dera, duke të kursyer kohë për të bërë pazar”,- shprehet për gazetën “Shekulli” Klevis Çela. Madje, thënë nga Çela, në internet mund të gjesh edhe produkte që në kryeqytet as që nuk mund t’i gjesh ndonjëherë.

“Si adresë për të më ardhur veshjet sportive që kisha porositur unë dhashë këtë të bankës ku punoj, sepse adresat e shtëpive tona nuk janë edhe aq të sakta”, -thotë me tej Klevisi. Në të mirat e këtij fenomeni të ri, Klevisi rendit edhe faktin se tashmë askujt nuk do t’i duhet që të mbajë para të thata me vete, për të rendur në çdo dyqan në kohë të mirë dhe të keqe e për të gjetur me vështirësi atë që kërkon të blejë.

Punonjësit e zyrave

Janë blerësit më të apasionuar në “dyqanet virtuale”. Sepse për ta është shumë komode të japësh “urdhra” që nga zyra për X-produkt, por njëkohësisht se punonjësit e zyrave janë edhe kategoria më shumë e pajisur me karta krediti nga bankat shqiptare. “Është shtuar shumë kërkesa e klientëve tanë për të patur një kartë krediti, e cila ndër të tjera mund të përdoret edhe për blerje on-line”, thekson Klevis Çela, blerës on-line por njëkohësisht edhe këshillues klienti në një nga bankat në Tiranë. Sipas tij, përdorimi i një karte të tillë gjatë gjithë kohës ta bën jetën të lehtë. Dhe duket se të parët që kanë mësyrë të përdorin karta krediti për blerje on-line janë vetë punonjësit e bankave, të cilët edhe për shkak të të ardhurave të larta, por edhe për shkak të njohjes më të thellë se si funksionon ky shërbim, kanë nisur të besojnë më lehtë. “Gjithçka është e sigurt, sepse vetë faqet elektronike që shesin produkte janë provuar e stërprovuar dhe fakti që kanë rezistuar gjatë dhe që po vazhdojnë të përdoren ende është domethënës”, -komentojnw ata. Kurse një tjetër punonjëse banke, që nuk dëshiron të identifikohet, thotë se në shumë raste ndodh që vetë “dyqanet virtuale”, bëjnë një përzgjedhje të llojit dhe emrit të kartës së kreditit me qëllim që të ketë një lloj sigurie.

Por të dhënë për blerje nëpërmjet kompjuterit porsi punonjësit e bankave duket se janë edhe punonjësit e administratës shtetërore, punonjësit e insitucioneve ndërkombëtare në Shqipëri si edhe sipërmarrësit privatë.

Kujdes, në qarkullim edhe faqe pirate

Ajo që të dhuron interneti, duhet parë edhe me mëdyshje. Ndonjëherë jo çdo faqe elektronike që të ofron produkte është e besueshme. Përgjithësisht, të gjithë blerësit on-line bëjnë një lloj klasifikimi e më pas përzgjedhin faqen që e vlerësojnë si më të sigurt. Bota virtuale e internetit mund të të çojë edhe në rrugë të gabuar. “Një e afërmja ime, pasi kishte porositur një aparat tensioni, mendoi se nuk do t’i vinte kurrë sepse java e premtuar nga faqja që kishte bërë blerjen kishte skaduar. Por punonjësit e atij dyqani elektronik e njoftuan se aparati kishte humbur rrugës dhe menjwherë i dërguan një të ri”,- tregon Merita, një shitëse e një dyqani pajisjesh elektronike në Tiranë.

Megjithë këtë histori fatlume, blerësit on-line që futin të dhënat në hapwsirat boshe të faqeve të internetit ku kërkohen shifrat e kartës së kreditit, duhet të bëjnë kujdes. Jo pak faqe të ngritura nga mashtrues të thekur, janë krijuar vetëm me qëllimin për të “gëlltitur” paratë e konsumatorëve të ndershëm.

Përse blerja në internet është interesante?

-Kursen kohë

-Të zhyt në botën e pafund të eksplorimit në internet

-Blen produkte unike që nuk i gjen në dyqanet e qytetit

-Blen më lirë, duke gjetur lehtësisht ofertën që interesohesh

-Nuk ke nevojë të mbash para me vete

MANIA

Shtohen blerësit që kërkojnë karta krediti

Fenomeni i ri në kohë, por jo i vogël në përmasa duket se njihet edhe nga bankat shqiptare. Vetëm nëpërmjet tyre duket se klientët shqiptarë mund të bëjnë të mundur blerjet online, pasi një kartë krediti do të ishte e nevojshme në këtë rast. Specialistët e bankave thonë se është rritur kërkesa e klientëve për të patur karta krediti dhe kryesisht për t’i përdorur ato për blerjet nëpërmjet internetit. Por si funksionon një kartë krediti? Përgjigja është fare e thjeshtë, po aq lehtë si një blerje nëpërmjet internetit ku mjafton një përdorim i mirë i kompjuterit dhe një adresë e sigurt blerjesh. Nëpërmjet kartave të kreditit një klient mund të konsumojë 400 deri në 5 mijë euro për blerje të ndryshme. Bankat, në varësi të komisioneve të tyre, u mbajnë këtyre klientëve një përqindje të caktuar për çdo blerje që kryejnë. Por nga ana tjetër, klientit i lihet në dispozicion një afat prej 45 ditësh për të shlyer kreditin e marrë nga banka. Në rast mosshlyerje penalitetet nisin të veprojnë për ta. Punonjësit e bankave në kryeqytet që kanë nisur të vënë në jetë këtë shërbim për klientët e tyre thonë se për shkak të mungesës së sigurisë, klientëve u kërkojnë një lloj garancie për shumën e parave që u jep banka. Në të shumtën e rasteve, si “peng” mbahen të dhënat e pagës mujore të vendit ku punon personi, ku në rast mosshlyerje të shumës që merret nga banka paga “sekuestrohet”. Ajo që dihet është fakti se askush prej klientëve nuk mund të shpenzojë mbi kufirin e vënë nga banka, duke kontrolluar kështu dëshirën e shfrenuar për të blerë nëpërmjet internetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›