“Adresimi i Edi Ramës jo korrekt, miqtë duhen respektuar të gjithë”

Presidenti Bujar Nishani u përgjigjet akuzave të kreut të PS-së
Presidenti i republikës Bujar Nishani i ka etiketuar si jo korrekte cilësimet dhe adresimet e kreut të PS-së Edi Rama, ndaj të ftuarve të veçantë në pritjen e festës kombëtare të 100 vjetorit të Pavarësisë.
Duke theksuar se gjithë miqtë duhen mikpritur e respektuar një lloj, Presidenti i Republikës Nishani deklaroi kishte një fat të madh dhe një ndjenjë krenarie që mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit kombëtar në sheshin kryesor të qytetit të Vlorës, aty ku 100 vjet më parë u shpall Pavarësia.
Në një intervistë televizive, Kreu i shtetit është shprehur se 100 vjetori është më i bukur kur të gjithë janë të orientuar bashkë për çështjen kombëtare. “Ky 100 vjetor është më i mirë dhe më i hapur kur jemi bashkë dhe kemi të njëjtin orientim për çështjen kombëtare”, deklaroi Presidenti Nishani. “Mirëpo pas festës madhështore, theksoi Kreu i Shtetit Bujar Nishani, duhet të reflektojmë për 100 vjetorin e kaluar ashtu siç u tha edhe nga shkrimtari Ismail Kadare. Ndërsa për brezat që do të vijmë është më e rëndësishme e ardhmja. Ndaj duhet të reflektojmë për objektivat tona strategjike”.
Në lidhje, për festimet në Tiranë dhe Vlorë, presidenti Nishani vuri në dukje se “procesi i shpalljes së Pavarësisë ka pasur një rrugë të gjatë në të gjitha trevat shqiptare, me një kontribut të ngjarjeve që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë, nga lidhja e Pejës apo lidhja e Prizrenit bashkë me kryengritjen në fillim të shekullin e XX-të. Në gjitha trevat shqiptare duhej të organizohej një festë. Nuk mund të shmangej kryeqyteti në një festë me përmasa kombëtare. Është që është më e rëndësishme që festimet të përmbyllen në kryeqytet. Nuk ka nevojë për asnjë ndasi në festat kombëtare”.
Gjithashtu presidenti Nishani nënvizoi se, “festa kombëtare e 28 nëntorit ka qenë dinjitoze dhe është shtrirë në tërësinë kombëtare. Këtë vit janë bërë studime duke zbardhur historinë e kohës së Pavarësisë dhe çasteve të ndryshme të 100 vjet shtet. Ka pasur një angazhim qytetar për të festuar. Nga të gjithë”.
Ndërkaq kreu i shtetit është ndalur dhe në kritikat e lëshuara nga kreu i PS për fillimin me vonesë, çka sipas Presidentit Nishani, “ishte një gjë jo e mirë. Por dinamika e madhe e festimeve të ndryshme del jashtë çdo lloj menaxhimit të Protokolli Shtetëror. Megjithatë pjesëmarrësit e ftuar duheshin respektuar deri në fund, besoj sa na kanë mirëkuptuar për vonesën”.
I pyetur në lidhje me akuzën e kryetarit të opozitës Edi Rama se përse kreu i Partive Popullore të Europës Vilfred Martens duhet të fliste i pari në pritjen zyrtare, presidenti i Republikës Bujar Nishani iu përgjigj se Rama është keq adresuar.
“Unë besoj që nuk është korrekte citimi apo adresim i Ramës. Një president i një Institucioni europian që përfaqëson 16 kryetarë shtetesh dhe po aq kryeministra, si Presidentin e Komisionit Europian duhej respektuar. Një personalitet që ka shfaqur interes të vazhdueshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, apo në liberalizimin e vizave, çka ka marrë në kurriz edhe kosto elektorale në vendin e tij. Janë miq dhe personalitete që na takon ti nderojmë. Pavarësisht anës politike të cilës ai i takon, duhet respektuar. Ai erdhi si mik i shqiptarëve. Dhe mesazhet kryesore në fjalimin e tij ishin për shtetin shqiptar dhe prosperitet tonë. Nuk kishte adresime për partitë politike, të njerëz apo tjetrës palë. Nuk është një shkelje e protokollit. Është i parashikuar adresimi i gjithë personaliteteve të ndryshme. Edhe Martens ka pasur vendin e tij. Lobimi jonë për integrimin europian duhet të bëhet me përfaqësues të Bashkimit Europian. Ai është një përfaqësues i një Institucioni shumë të nderuar dhe pritja zyrtare ishte një vend i përshtatshëm për të adresuar mesazhe europiane. Ky ka qenë një vendim i presidentit të Republikës”, sqaroi presidenti Bujar Nishani.