E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adrian Paci, një artist UHF

Pas Ismail Kadaresë e Inva Mulës është një tjetër shqiptar i gjallë me të cilën krenohemi në botë. Nëse mendoni se është balerini Kledi Kadiu thjesht gaboheni. është Adrian Paci, një artist high definition. E kuptohet nuk them se Kadiu nuk është i famshëm por, me Pacin mund të krenohesh. Mund të krenohesh sepse nuk është si Anri Sala, një video-artist që ka kuptuar shijen komerciale e gjallon me të. Kurse Adriani është i plotë. Sikurse është i vetmi me koncepte. Ndryshimi midis tyre është se tek Adriani është sikur të shikosh një femër të bukur dhe vetiu ngacmohesh me imazhe. Kurse tek rivali është femra që duhet të flasë pasi bukuria e saj është e pajustifikuar nga imazhi.
Duke qenë shkodran ai është një artist në video–art, ku dhe eksperimenton shqisat me kufijtë e videos dhe të pikturës. Jo vetëm kaq. Adrian Paci përdor gjuhën e skulpturës, pikturës, videos e fotografisë për të vënë në fokus çështjet e mëdha të ekzistencës njerëzore; veprat e tij flasin për humbjen e vendeve të nisjes. Përballet me tematikat e kulturave migrante e nomade, tipike të bashkëkohësisë sonë, ku kriza e identitetit është diversiteti.
Me një llaf, ai ia ka dalë të dalë jashtë provincës së artit shqiptar me pelegrinazhin e vështirë e të lodhshëm emocional. Gjetjet e tij artistike janë njëlloj si teknikat terroriste të demonstruara në Tv nga xhihadistët sepse kanë parimin e boshllëkut emocional, me nuanca dogmatike. Mirëpo ky xhihad është lufta e shenjtë për të dëftyer anën e padukshme të gjërave. Për shembull: këndvështrimi tek videoja e tij e njohur “Qendra e përkohshme” ku shihen disa emigrantë të etnive të ndryshme që ngjiten në shkallët e një avioni, e që më pas gjenden në një hapësirë të ngushtë që gati u merr frymën, ku ashtu të ndalur me fytyrat që nuk pasqyrojnë tjetër veçse ankth, janë në pritje të diçkaje derisa kamera hapet në perspektivë, duke zbuluar që në fakt nuk ka asnjë avion.
është një grisje në realitet ku tregohet humnera e ankthshme e emigrantit. Nuk mjafton mesazhi universal kristian që çdo njeri është një emigrant, por çfarë i ndodh një emigranti në galaksinë e tij shpirtërore dhe me shikim e kësaj videoje e përjeton telepatikisht dhimbjen.
Kurse me videon e gjatë “Electric Blue”, ose më mirë kemi të bëjmë me një eiaculatio precox, të përthyer nga frika e thyerjes, qëllimi është shërimi i depresionit social me një agjitacion turbo-pornografik mbi trupin e njeriut. Me “Vajtojca” sjell gjurmët e prekshme të ritualizimit të vdekjes nëpërmjet numërimit të dhimbjes së gruas. Thagma e madhe, çka detyron artistin të takohet me thëniet e të vjetërve, se frika nga vdekja nuk ekziston përderisa “ne” nuk takohemi, “ne ikim kur ajo vjen”. Të njëjtën gjë ka thënë edhe regjisori amerikan Woody Allen në një intervistë, siç duket mesazhi është universal.
Kështu që doket shqiptare me misteret dhe teatralitetin e tyre përthyhen në tela alumini që përcjellin fuqinë mistifikuese të artistit. Ky artisti është i interesuar në kërkimin e një raporti të ndryshe mes tingullit dhe imazhit që anashkalon gjuhën apo tekstin. Ai është i interesuar në tingujt apo zhurmat e historisë sesa në shpjegimin apo normalizimin e saj nëpërmjet gjuhës dhe tekstit.
Kuptohet vetiu Videoarti, si një medium i bazuar rreth nocionit të kohës dhe prurjes së imazheve, Paci ia ka dalë të krijojë mundësi krejt të reja e të ndryshme nga simotra televizioni, pasi duke përdorur të njëjtat mjete teknike mundëson gjetjen e mënyrave të reja komunikimi, dhe një tjetër ekonomi imazhi. Sigurisht lënda e parë që ushqen vrimën e zezë të video-artit është drita, si sine materie. Natyrisht ashtë drita e manipuluar nëpërmjet instrumenteve teknike të komunikimit të imazhit. Ai është gjuetarë kureshtjesh.
Padyshim konsumatori i sotëm i artit në video është nj njeri krejt pasiv që ka nevojë të kthehet aktiv, pasi neuronet janë lënë në mëshirë të fatit, sepse imazhet nuk krijohen më nga eksperienca personale por, ato të jepen si një kitch komplet. Njerëzimi është një konsumator gjigant i pavetëdijshëm që bombardohet me video-kulturë masive, çka shpesh herë është akuzuar për një totalitarizëm të shijes.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›