Mimoza Vokshi: Sulmet ndaj meje, sepse jam bërë pengesë e aferave korruptive të Edi Ramës
Reagon Mimoza Vokshi, motra e deputetes së PD-së Albana Vokshi
Mimoza Vokshi, motra e deputetes së PD-së Albana Vokshi, nëpërmjet një deklarate të shpërndarë për mediat, i ka cilësuar dje sulmet ndaj saj, si sulme që Edi Rama i nxit, për shkak se ajo është bërë pengesë e shkeljeve ligjore dhe aferave korruptive, të peronave apo bizneseve afër kryetarit të PS-së dhe kryebashkiakut të Tiranës. Ajo ka mohuar të ketë qenë pjesë e procedurave e grupeve të punës, që janë marrë me fushatën energjetike. Njëherazi, Mimoza Vokshi, ka siguruar se në zbatim të ligjit, do të vazhdojë të denoncojë korrupsionin me fakte dhe emra konkretë.
“Vazhdoi edhe dje seriali shpifjeve të Edi Ramës duke mos kursyer shqiptarët as në ditën e 100 vjetorit të Nënë Terezës. Kam qenë Drejtoreshë e drejtorisë së Shërbimeve Tregtare që mbulonte edhe privatizimin për katër vjet por deklaroj edhe një here se nuk kam marrë pjesë dhe nuk kam pasur lidhje me asnjë procedurë koncesioni apo grup pune që lidhej me fushën energjetike. Jam sot në qendër të sulmeve pasi vazhdimisht në punën time të mëparshme apo edhe të tanishme jam bërë pengesë për shkelje ligjore apo afera korruptive të personave apo bizneseve që janë afër Edvin Ramës. Por, e siguroj Edvin Ramën dhe miqtë e tij se do të vazhdoj të respektoj ligjin dhe unë dhe familja ime do vazhdojmë të demaskojmë korrupsionin me fakte dhe emra tronditëse”, bëri të ditur Mimoza Vokshi, nëpërmjet deklaratës së shpërndarë për mediat.