E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Tereza, shenjtorja që u lut çdo ditë për shqiptarët

Në 100-vjetorin e bamirëses shqiptare Nënë Tereza, kryeministri Sali Berisha vlerëson lart veprën e saj, si shqiptaren që e lartësoi më shumë se kushdo tjetër në këto 100 vjet emrin dhe nderin e kombit. “Mirënjohje e pakufishme për Shenjtoren e Dhembshurisë, e cila i hapi misionet e veta në 130 vende të ndryshme të botës”

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së humanistes së madhe shqiptare, Nënë Tereza, kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit, ndoqi meshën e mbajtur posaçërisht me këtë rast, në Katedralen e të Lumes, në Vaun e Dejës.
Shefi i ekzekutivit shqiptar vendosi një buqetë me lule në shtatoren e Nënë Terezës në qendër të qytetit dhe pas meshës mbajti një fjalim përshëndetës, në të cilin vlerësoi lart veprën e humanistes së madhe. Sipas kryeministrit Berisha, bamirësja shqiptare në një shekull i dha jetë qytetarëve të kësaj bote.
“Sot është një ditë unike në tërë historinë mijëravjeçare të kombit shqiptar. Sot shqiptarët, së bashku me qytetarë të të gjitha kombeve, të të gjitha besimeve, të të gjitha racave, përulen me nderimin më të madh para gruas, para nënës, sepse askush tjetër në historinë e njerëzimit nuk bëri më shumë për të gjithë të tjerët që e nderojnë sot. Nënë Tereza nderohet sot në të katër anët e rruzullit. Ajo nderohet, sepse në një shekull askush nuk i dha më shumë në këtë jetë qytetarëve të kësaj bote sesa Shenjtorja e dhembshurisë dhe dashurisë njerëzore”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë vijoi se, “Gonxhja e kombit tonë çeli në luginat dhe kodrat e Darjeeling-ut, por lulëzoi në Kalkutën e Indisë, në megapolin e dhembjes, vuajtjes, mjerimit, sakrificës njerëzore”.
Berisha vuri në dukje se përpjekja e madhe e humanistes shqiptare, për të luftuar varfërinë është unike në llojin e saj, pasi e vetme dhe pa mbështetjen e duhur të qeverive të vendeve të botës, ia doli të shërojë miliona plagë të varfërisë.
“Në një nga veprat e saj të shumta ajo shkruan, ‘një ditë mu duk se po hyja në Parajsë. Dera u hap, por tek dera më priti Shën Pjetri dhe më tha se këtu nuk ka të varfër dhe të vuajtur. Unë u ktheva sërish në Kalkutë, mes të varfërve të mi’. Në histori janë të shumtë ata që kanë luftuar varfërinë, qeveri, shoqëri civile, institucione fetare, por në mbretërinë e Nënë Terezës, përveç asaj dhe motrave të saj, Krishtit që ajo e shihte në çdo njeri, të tjerët mungonin. Ndaj dhe sot ajo nderohet me një shenjë mirënjohje të pakufishme nga mbarë njerëzit e qytetëruar të botës”, deklaroi kryeministri.
Sipas kryeministrit, Nënë Tereza, mbetet gonxhja e kombit shqiptar, pasi, tha Berisha, ajo është lutur për shqiptarët dhe Shqipërinë çdo ditë.
“Theksoj se ajo ishte gonxhja e kombit dhe shqiptarët duhet ta dinë se ajo çdo ditë është lutur për nënën e saj, e cila e mëkoi me atë dashuri që ajo pushtoi mendjet dhe zemrat e njerëzve të qytetëruar në mbarë botën; është lutur për familjen e saj; është lutur për Shqipërinë dhe shqiptarët çdo ditë”, vuri në dukje Berisha.
Në vijim, Berisha theksoi se kjo është një ditë nderimi për Kalkutën, për Indinë, ku Gonxhe Bojaxhi u lartësua në Nënë Terezën. “Sot është një ditë nderimi për Motrat, misionaret e dashurisë dhe dhembshurisë njerëzore, të cilat në 130 vende të botës u shërbejnë, ngjallin shpresë, mjekojnë, ushqejnë, miliona qytetarë të këtij planeti, të braktisur, në vuajtje të mëdha. Sot është një ditë nderimi për Selinë e Shenjtë. Miku i madh i kombit shqiptar, Papa Gjon Palin e II që nga ballkoni i Ipeshkvisë së Shkodrës do t’ua paraqiste shqiptarëve dhe mbarë botës Gonxhe Bojaxhinë si bijën e këtij kombi. Sot është një ditë nderimi e veçantë për Papa Benediktin e XVI që udhëheq vitin e nderimit të saj në mbarë botën. Sot është një ditë nderimi e veçantë për nënën shqiptare, e cila tek Nënë Tereza ka simbolin e saj më të shkëlqyer njerëzor. Shenjtorët, Profetët, kështu janë, një komb i lind, por ata i përkasin mbarë njerëzimit. E tillë është edhe Nënë Tereza. Edhe një herë, le të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për nderin e madh që na dha, për shërbimin e madh që bëri një shekull të tërë”, përfundoi Berisha.
Meshën e celebruar në oborrin e katedrales e kanë ndjekur qindra banorë të Shkodrës dhe të Vaut të Dejës, Nunci Apostolik, i deleguari i Shenjtërisë së tij Papa Benedikti i XVI, Imzot Rrok Mirdita, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, dhe të tjerë klerikë të lartë të Kishës Katolike.

Nënë Tereza (Gonxhe Bojaxhi)

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqe.
Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut (Nikollë Bojaxhiu) me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Lindi në Shkup, të Shqipërisë t pushtuar prej Perandorisë osmane, sot ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, më datë 26 gusht 1910. Shkupi i merret Shqipërisë prej Maqedonisë me 1 Janar 1918 në bazë të traktatit të Versajs.
Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famullitari i atëhershëm Dom Zef Ramaj. Kola dhe Drania kishin 5 fëmijë, dy u vdiqën në fëmijërinë e hershme.
Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.
Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit. Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin. Kurse nëna Drania dhe motra Age, u kthyen n atdhe, në Shqipëri, q para Luftës së Dytë Botërore.
Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave.
“Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›