E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adriano Te Interi mendova vetevrasjen

Adriano vazhdon të ngrejë shumë diskutime edhe kur nuk bën asgjë të gabuar jashtë fushe. Pas lajmeve për alkoolin, nevojës për një psikiatër, historitë e dashurisë, përfshirjes në shoqëri të rrezikshme me kriminelë, apo firmosjen e kontratës me Flamengon për të shpresuar në një shans të ri, së fundmi sulmuesi brazilian ka tronditur opinionin.

Në një biografi të publikuar nga e përditshmja braziliane, “Globoesporte”, sulmuesi 30-vjeçar ka rrëfyer se gjatë aktivizimit te interi në sezonin 2008-’09 ai ka menduar seriozisht vetëvrasjen.

Në gazetë, lojtari i njohur ndryshe si “Perandori” tregoi se i telefonoi të ëmës dhe i tha: “Ndihem i vetmuar dhe më ka marrë malli për shtëpinë. Askush nuk e kupton atë që po kaloj, askush nuk është brenda meje. Po mendoj të vras veten”.

Ai ishte pikërisht sezoni kur Interi vendosi ta transferonte lojtarin në formë huazimi te Sao Paolo. Klubi e mori vendimin ekstrem, pasi për muaj me radhë, lojtari paraqitej në qendrën stërvitore në gjendje të dehur dhe nuk merrte pjesë në përgatitjet e skuadrës me justifikimin se kishte probleme shëndetësore ose ishte i dëmtuar.

Më tej, në rrëfimin e tij, Adriano vazhdoi: “Po vuaja shumë në atë periudhë, e madje kisha humbur edhe besimin në Zot. Më pas, kur u ktheva në Brazil, problemi im ishte alkooli dhe nisa të konsultohesha me psikologun. Megjithatë, sot për sot nuk kam nevojë për ndihmë. Tani jam një njeri i lumtur”.

Vetëm pak javë më parë, Adriano u kthye te klubi i Flamengos, ku ka firmosur kontratë deri në fund të vitit 2012. Rroga dhe rinovimi i kontratës do të varen nga rendimenti i lojtarit në fushë, por mbi të gjitha nga sjellja e tij në stërvitje dhe në jetën jashtë futbollit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›