Giuseppe Rossi kushton 15 milionë euro

Villarreali e ka vënë çmimin për Giuseppe Rossin: 15 milionë euro. Lajmin e ka bërë të ditur e përditshmja italiane Tuttosport.
Për sulmuesin italian, i cili është i lënduar që një kohë të gjatë pas dëmtimit të ligamenteve të gjurit, flitet se pritet të rikthehet në futbollin italian.
Interesim për përfaqësuesin italian kanë shfaqur Roma, Interi dhe Milani, por as Juventusi nuk mbetet prapa.
Roma e ka ndërmend ta kërkojë në formë huazimi futbollistin, me mundësi blerjeje përfundimtare pas një viti për 6-7 milionë euro.
Villarreali ka rënë në ligën e dytë spanjolle dhe duhet ta shesë lojtarin gjithsesi. Rossi pritet të rikthehet në fushën e blertë pas janarit të vitit të ardhshëm.