E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adriano del nga planet e Interit

Ashtu sic edhe ishte parashikuar, Parma u paraqit në Milano me qëllimin e vetëm për t'i dhënë një "sulm" Adriano Leite Ribeiro, i cili nuk u thirr për ndeshjen e Interit kundër Udinezes. Presidenti i Parmës, Girardi, në fakt dëshironte një nga tre lojtarët Adriano, Rekoba dhe Obina, por më në fund vendosi vetëm për brazilianin. Talenti nga Rio De Zhaneiro gjithmonë vlerësohet nga padroni i Interit, Masimo Morati si "një nga sulmuesit më të fuqishëm në botë", por "nuk është e rastit që në ditët e fundit ai kërkohet nga disa ekipe", shton bosi zikaltër. Pistat për Adrianon janë tre; Parma në Itali, Valencia në Spanjë dhe Mancester Siti në Angli. "Ne do të bëjmë të pamundurën për ta risjellë atë në nivelet e tij naturake, që janë të larta. Besoj se mund të qëndrojë, por nësë rruga më e mirë do të ishte ajo e huazimit do ta marrim në konsideratë. Në fund, natyrisht vendos Adriano", sqaron Morati. Dhe në Itali mbërriti dje Gilmar Rinaldi, prokuratori i "Perandorit". Një udhëtim i programuar, ku menaxheri Rinaldi, sipas tij, do të ndjekë së bashku me gruan ndeshjen Palermo-Roma. Por, në rrugë e sipër do të flasë me Adrianon për të vlerësuar edhe mundësitë e yllit brazilian, i cili ndodhet tashmë jashtë planeve të trajnerit Roberto Mancini.
"Adriano është një kampion, që herë pas here, ka ndonjë problem", - deklaron Mancini. "Duhet të zgjidhë problemet e tij dhe të luajë në vazhdimësi, mund të jetë mirë për të dhe për ne. Do të shohim javën e ardhshme cfarë do të jetë mirë për ne.
Alvaro Rekoba pritet të rinovojë me Interin deri në vitin 2009, por gjithcka është e lidhur me të ardhmen e Adrianos. Presidenti Morati shpalli edhe objektivin kryesor të Interit. Për mikrofonat e "Sky" Masimo thotë: "Unë besoj se paraqes dhe atë që dëshirojnë dhe tifozët interistë. Dhe ata duan të bëjmë një figurë të bukur në Ligën e Kampioneve. Kështu, për këtë vit ata duan të paktën finalen. Ibra? Besoj se ka gjetur një marrëveshje me ne deri në fund të vitit 2012'.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›