E Shtunë, 31 Tetor 2026

Advin Han: “Ju tregoj babain tim, Ari Hanin”



Dash Frashëri

Holandezi Ari Han me sukseset e tij po shuan dalëngadalë kujtim
et e tifozerisë shqiptare për kroatin Oto Bariç, teksa ato për gjermanin Hans Peter Brigel (rekord për numrin e pikëve të grumbulluara, 13) po bëhen gjithmonë e më të zbehta, ndërsa italiani Xhuzepe Dosena (vetëm dy ndeshje me përfaqësuesen tonë) thuajse nuk ekziston “kujtesën” tonë.
Ish-kampioni i trefishtë i Europës me Ajaksin dhe dy-herë nënkampioni i botës me Holandën (1974, 1978), në dy dy finale të humbura kundër vendeve organizatore Gjermani e Argjentinë, ka qenë jo i lehtë për t’u zbërthyer në Shqipëri.
Por, një njëri e njeh atë më shumë se kushdo tjetër. Ai është Avdin Han, djali i tij, tashmë 33-vjeçar, i dërguari special i Arit në misionet e “spiunit sportiv” në ndeshjet Maltë-Portugali e së fundi në Suedi-Hungari.
Gjatë qëndrimit të tij tre ditor përpara ndeshjes Shqipëri-Maltë, gazeta “Albania” arriti të zhvillojë një interviste ekskluzive me Advinin gjatë njërës prej stërvitjeve në “Qemal Stafa”, që tashmë merret me biznes një kompani sigurimesh për jetën.
Një intervistë e ndërprerë disa herë, edhe nga “urdhri” i të atit të tij, për të mos folur me mediat. Por “Albania” ishte treguar më e shpejtë. Edhe se shpejtësia që morri topi i goditur nga Hani në atë gol të famshëm nga 30-40 metra kundër Italisë në Botërorin e vitit 1978. Thuajse gjithë ditën në shoqërinë e të atit. Madje edhe në tarracën e hotel “Tirana International”, rezidenca e përfaqësueses shqiptare, atë e bir pinin shpesh kafe bashkë, duke diskutuar rreth futbollit, e sigurisht rreth familjes.
Të bësh një intervistë me një njeri që dukshëm nuk pranon të flasë për të kaluarën apo të tashmen e të atit të tij, duhet ta nisësh me pyetje të “buta” e pa interes, deri sa të shkosh te pika e “nxehtë”, për të cilën t’i interesohesh vërtetë...për të parë “inside” (brenda) Ari Hanit, holandezit hokatar që ka çmendur Shqipërinë.
“Jam keqpërdorur shumë herë nga shtypi, - tha Advini, - kam eksperiencë të keqe”. Por, dicka e brendshme e shtyn ate të flasë...

Le ta fillojmë nga ju. Një prezantim të shkurtër...
Quhem Advin Han, djali i Ari Hanit, jam 33 vjeç dhe punoj në një kompani sigurimesh jete.
Është hera e parë që vini në Shqipëri?
Jo, kam qenë edhe një herë tjetër. Kam qëndruar tri ditë para tre muajsh, ku kam biseduar me zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit edhe rreth angazhimeve të mija.
Të flasim më konkretisht...
Ka të bëje rreth punës si skauter në ndeshjet ndërkombëtare të kundërshtarëve të Shqipërisë në Grupin 1 kualifikues të Botërorit, por edhe për të ndjekur lojtarët e përfaqësueses shqiptare.
A e patë ndeshjen e Shqipërisë kundër Suedisë?
Jo, jo. Unë isha në Maltë. Pashë ndeshjen Maltë-Portugali (0-4). Sigurisht që këtë detyrë ma ngarkoi babai im, Ari Han, në marrëveshje edhe me Federatën Shqiptare të Futbollit. Unë duhet të shihja kundërshtarin, pavarësisht se kisha dëshira të shihja Shqipëri-Suedi.
Çfarë të dhënash i keni dhënë babait tuaj
I kam dhënë atij informacionet e nevojshme për të përgatitur ndeshjen kundër Maltës. Gjithsesi, është vështirë të nxjerrësh një konkluzion për Maltën, pasi Portugalia është një ekip shumë i fortë. Unë mendoj se Malta kishte disa lojtarë të mirë. Ua kam frikën atyre. Numri 9 (Mifsud) dukej shumë mirë. Kundër Portugalisë, nuk ishte shumë i fuqishëm, por dukej që luante shumë mirë futboll.
Përmendët pak më parë se keni parë edhe lojtarë shqiptarë?
Po kam ndjekur Skelën të Energi Kotbus vitin e kaluar. Ishte në ditët më të mira të tij. Shpëtoi ekipin nga rënia nga Bundesliga. Një tjetër është Lorik Cana. Lojtar i madh. Unë e pëlqej atë. Të kërkojë Bajerni i Munihut nuk është pak, duhet të jesh më të vërtetë i lojtar i fuqishëm. Njoh shumë mirë Lalën. Në Shqipëri nuk kam parë ndonjë ndeshje të kampionatit, por me këtë merret federata juaj dhe e di se kush është i mirë.
Lë të flasim pak për babanë tuaj, një njeri me famë të madhe. Dy herë nënkampion i botës me Holandën, me dy ekipet më të mira holandeze në botë.
Lë t’i quajmë kështu. Fatkeqësisht nuk u bënë kampion bote dy herë kundër vendeve organizatore, Gjermanisë (1974) e Argjentinës (1978). Unë isha katër vjeç atëherë, qëndrova në shtëpi me nënën. Mbaj mend që babai u kthye në shtëpi jo me humorin e zakonshëm.
Finalja e Argjentinës ishte e pabesueshme, pasi mund të ishim shpallur kampionë të botës nëse gjuajtja e Rezenbrinkut në minutën e fundit nuk do të kishte prekur shtyllë, por rrjetën. Kishte një ndryshim midis finales kundër Gjermanisë e asaj kundër Argjentinës. Në Gjermani kishte më shumë tifozë holandezë. Argjentina ishte shumë larg për tifozët.
Babai juaj ka qenë një lojtar i Ajaksit të madh. Tri herë kampion i Europës e shok skuadre me Johan Krujfin. A e keni takuar atë ndonjëherë?
Kur unë linda historia e Ajaksit të madh thuajse kishte përfunduar e babai im shkoi të luante në Belgjikë me Anderlehtin. Fati e ndoqi atë, duke fituar dy kupa evropiane (Kupa e Kupave) dhe luajti një finale. Isha djalë i vogël.
Ngjyra portokalli e tifozëve holandeze është e famshme në gjithë botën.
Është shumë e rëndësishme kur njerëzit të mbështesin. Tani është shndërruar në një traditë. Në Holandë gjithkush vishet në ngjyrë portokalli kur luan kombëtarja. Duket si një detyrim shpirtëror.
Si e keni përjetuar famën e babait tuaj?
Për të qenë i sinqertë, kam ndjerë kënaqësi. Por unë e kam parë si babain tim, jo si një futbollist i madh. Për të tjerët mund të ketë qenë vërtet një sportist i madh.
Ari Han ka shënuar dy gola të jashtëzakonshëm nga një distancë e largët. Ai i keni parë shpesh videot e tyre?
Sigurisht, janë shumë argëtues. Por i kam parë kaq shumë herë, aq sa tani më duken gola të zakonshëm.
Djali i Johan Krujfit, Jordi Krujf luajti futboll në nivel të kënaqshëm. Po djali i Hanit, ju vetë a u morët me futboll?
Natyrisht. Unë kam luajtur futboll, por deri në nivelet e futbollit të rinjve. Në moshën 17-18 vjeç kuptova se futbolli nuk hynte në ambiciet e mia. Luajta futboll, por vendosa të merresha me biznes. U punësova në një kompani sigurimesh për jetën, e më pas hapa biznesin tim po në këtë fushë së bashku me një mikun tim.
(... Ndërpritet intervista, Ari Han bën shenjë të mos flasë).
Nuk dëshiroj të zbuloj diçka të keqe për babain tuaj...
...Por, unë kam eksperiencë time me shtypin. ...Babai im është kritik i punës së tij. Kërkon gjithmonë suksesin. Është shumë profesionist dhe ndonjëherë zëmërohet me veten e tij, kur diçka nuk ecën. Di të ndërtojë marrëdhënie me lojtarët. Këto cilësi nuk ndryshojnë. Nëse do të pyesni futbollistët, jam i sigurt se ata kanë mbetur të kënaqur. Ai punon shumë me topin gjatë seancave stërvitore dhe kjo i bën atë të ndihen më mirë. (Një tjetër shenjë nga Ari për të ndaluar intervistën). Tani duhet ta mbyll. Nuk e kuptoj arsyen se im atë ma kërkon këtë. Vjen këtu edhe më thotë të mos flas. Gjithsesi është në natyrën e tij të ketë kujdes gjithmonë.

240 mijë euro kontratë
Han është trajneri i katërt i huaj e gjermanit Hans Peter Brigel (1). Për trajnerin e gjashtë të huaj dhe të 19-tin në historinë 61-vjeçare të kombëtares sonë, holandezin Ari Han (240 mijë euro kontratë, plus shpërblimeve speciale për pikë të fituara.

Akuzat belge: “Ari Han, trajner femrash, jo futbolli”
Pak dihet në Shqipëri për të kaluarën e yllit holandez, Ari Han, tashmë trajner i skuadrës kuqezi. Një drejtues futbolli me përvojë, por me shumë stacione dhe i akuzuar nga një prej ish-klubeve të tij, Anderleht, si trajner I pazot. “Ai nuk është trajner futbolli, - u shpreh për Hanin, një nga bosët e Anderlehtit, Konstant Vanden Stok më 8 prill 2000 në gazetën “Laatste Nieuws”, - por ai është një trajner për femrat”. Vëllai i Konstantit, Roger Vanden Stok, shtoi nga ana e tij se “në fillim ai punoi fort, por më pas dolën në pah dobësitë e tij, mënyra e punës, vizioni për futbollin etj.”. Holandezi reagoi duke kërkuar 10 milionë fiorinta holandeze dëmshpërblim nga klubi belg, që do të thotë 250 000 euro, “për dhunim të emrit, imazhit dhe integritetit si trajner”. Sipas gazetarit Bledar Kuka, këtë histori e tregon media belge “voetbalbelgie.be”.

“Kam emër të keq”
Han e konsideron Shqipërinë si një shans, për të bindur Europën për cilësitë e tij. “Për disa njerëz unë kam një emër të keq. Unë nuk e kuptoj arsyen përse duhet të ndodhë kjo. Unë jam i bindur se kjo është një gjë e gabuar. Unë kam punuar shumë jashtë. Qysh atëherë unë kam arritur gjithmonë edhe më shumë në karrierën time. Imazhi që kanë njerëzit për të është komplet ndryshe nga perceptimi që ka bota për të”, - ka thënë Han për depers.nl

Han në versionin pro-shqiptar
“Unë erdha në vitin 1971 kur Ajaksi u ndesh me Tiranën. Imazhi që unë krijova gjatë atij udhëtimi është shumë larg realitetit të sotëm. Shqipëria është një vend në zhvillim e sipër. Hidhni një sy përreth jush, ju do të shikoni se ekonomia punon. Vendi është pozicionuar në mënyrë ideale në detin Adriatik, me një influencë të dukshme nga Europa Jugore dhe Ballkani. Herën e fundit unë isha në një restorant në qendër të Tiranës, ku kishte edhe vende të rezervuara për disa francezë”.

Kundër 17 Nëntorit të Tiranës
“Unë kam luajtur kundër kampiones së Shqipërisë (17 Nëntorit) në vitin 1970 dhe ende kujtoj se Ajaksi, edhe pse fitoi Kupën e Kampioneve (të edicionit) 1970-1971 vuajti jo pak në Tiranë, kur barazuam 2-2 në një ndeshje vërtet shumë të vështirë dhe u kualifikuam falë fitores në Amsterdam (2-0). Duhet të kujtoni se në atë kohë Ajaksi ishte në kulmin e tij dhe zhvillonte ndoshta futbollin më të bukur në Europë. I kujtoj shumë mirë ato ndeshje. Isha një futbollist i ri asokohe (22 vjeç)”

“Qytetar” i gjithë botës
Han mund të mburret të paktën me një arritje personale. Është trajner i tri kontinenteve. Në Azi drejtoi përfaqësuesen e Kinës, në Afrikë atë të Kamerunit dhe në Europë, po drejton me sukses Shqipërinë. Lista e “udhëtimeve” pasurohet me ekipe klubesh në Holandë, Belgjikë, Gjermani, Greqi, Austri, Iran. Trajneri i përfaqësueses shqiptare luajti një rol të dorës së parë, duke ndihmuar ekipin olimpik të Holandës në “Pekin 2008” për të kuptuar më mirë atmosferën e veçoritë e jetës kineze.

“Zot na jep fat”
“Ne na konsiderojnë si ekipin e pestë në grup, ndërkohë që objektivi ynë është vendi i katërt”, - është shprehur para ndeshjes me Maltën, Ari Hani. “Por, nëse ne do të kemi pak fat, mund të shkojë edhe më mirë. Hungaria nuk është një top-ekip, Suedia dhe Danimarka bazohen veçanërisht te lojtarët e vjetër”. Po të kemi më shumë fat, ne mund të përfundojmë edhe të dytët në grup”. Aktualisht pas dy ndeshjeve, me 4 pikë të grumbulluara Shqipëria është në vend të parë falë golaverazhit më të mirë se Danimarka e Suedia.

Gerets: “Gjuajtjet e tmerrshme të Hanit”
Belgu Erik Gerets, trajneri i Lorik Canës te Olimpiku i Marsjeës është shprehur për Ari Hanin. “Gjuajtjet nga distanca të tij?. Të tmerrshme! Të rrallë ishin ata që gjuanin si ai, për të mos thënë askush. Han ishte në fundin e karrierës në atë kohë, por mbetej ashtu si në ditët më të mira. Shumë potent në mesfushë dhe një lider i vërtetë. Kishte karakter të fortë, një nga ata që i nevojitet çdo skuadre. Ka grumbulluar shumë përvojë, sepse në gjithë këto vite ka drejtuar shumë skuadra. Ka pasur edhe suksese. Ka qenë karakter shumë i fortë, një lider i vërtetë”

Han: “Ja pse pranova stolin e Shqipërisë”
Ari Han është trajneri i gjashtë i huaj i përfaqësueses dhe i 19-ti në historinë 61-vjeçare të kombëtares sonë. Han është trajneri i katërt i huaj rresht në bankinën kuqezi pas italianit Xhuzepe Dosena, gjermanit Hans Peter Brigel dhe kroatit Oto Bariç. Biografia sportive e Ari Han është e jashtëzakonshme në planin individual si futbollist dhe ai konsiderohet si një nga lojtarët më të mëdhenj të shkollës së Ajaksit, së bashku edhe me Johan Krujf në kohen e futbollit total të shpikur nga Rinus Mishels.
Ish-nënkampioni i botës me Holandën në vitet 1974 dhe 1978 rrëfeu edhe arsyet përse pranoi bankinën shqiptare kur u vu për herë ta parë përballë interesimit të jashtëzakonshëm të medias në hotel “Rogner Europark”, më 4 janar 2008. “Kisha shumë oferta përpara se të pranoja të merrja detyrën e trajnerit të Kombëtares shqiptare, por edhe pasi pranova atë, m’u ofruan shuma edhe më të mëdha, madje edhe Kina, ku kisha drejtuar në vitin 2004 më kërkoi sërish si trajner”, - tha midis të tjerash trajneri i 19-të i Kombëtares shqiptarë. “I kisha thënë ‘Po’ presidentit Duka dhe nuk mund t’ia ktheja fjalën. Kisha thënë gjatë tratativave herë ‘po’ herë ‘jo’, por ishte karizma e presidentit që më bëri të vendos për të marrë drejtimin e Shqipërisë”. Vetë presidenti i FSHF-së, Duka e vlerësoi: “Është një emër shumë i madh i futbollit holandez. Të gjithë e njihni dhe i mbani mend golat e shënuar në kupën e Botës. Është një trajner shumë i kompletuar dhe një ish-futbollist mjaft i njohur dhe me mjaft arritje”.
Holandezi Ari Han kaloi 15 vjet si futbollist profesionist në vendin e tij të lindjes, pikërisht në një nga skuadrat më të famshme në botë, Ajaksin, ku fitoi thuajse gjithçka: tre tituj kampionë të Holandës, tri kupa të Holandës, tre trofe në Ligën e Kampioneve, një Kupë Interkontinentale dhe dy superkupa të Europës. Në përfundim të karrierës së tij, Ari Haan shënoi 47 gola (shumë prej tyre nga goditje standarde) në 246 ndeshje të luajtura. Haan bënte pjesë në formacionin “portokalli” që diskutoi dy finalet e humbura në Kupën e Botës në vitin 1974 në Gjermani dhe në vitin 1978 në Argjentinë. Me Holandën, Haan zhvilloi 35 ndeshje, ku shënoi 6 gola. Goli i tij më i famshëm është ai i shënuar kundër Italisë nga 36 metra në Kupën e Botës së vitit 1978.
Han ka drejtuar në gjashtë vende të ndryshme një numër klubesh. Në Holandë: Fejenordin; në Belgjikë: Antverp, Anderleht, Standart; në Gjermani: Shtutgart, Nuremberg; në Greqi: PAOK-un, Paniliakos; në Austri: Austria e Vienës. Kontrata e tij e fundit me një klub ishte ajo me skuadrën iraniane të Persepolis në Teheran. Eksperienca e tij më e suksesshme mbetet ajo aziatike, kur në drejtimin e Kombëtares së Kinës humbi finalen e Kupës së Azisë në vitin 2004. Ngushëllimi ishte kualifikimi në Botërorin e vitit 2006, por fatkeqësisht Ari Han nuk e drejtoi Kinën në finalet e Gjermanisë. Në vitin 2006, Ari Han mori drejtimin e Kamerunit, ku përçoi idetë e tij mbi futbollin “total”. Shqipëria është përvoja e tretë e tij si trajner në nivel kombëtaresh. Në janar të vitit 2008, pranoi kontratën e propozuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në shumën 240 mijë euro për një edicion eliminator, duke i shtuar këtu edhe 5 mijë euro për çdo pikë të fituar.

Ndeshjet e Ari Hanit
me Shqipërinë

Miqësore
Poloni-Shqipëri 1-0
Shqipëri-Lihtenshtejn 2-0

Zyrtare
Shqipëri-Suedi 0-0
Shqipëri-Maltë 3-0

Miqësore klubesh
Shqipëria B-Kazaskin 2-2
Shafhauzen-Shqipëri 1-3

Trajneri qe grindet me presidentet

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, me siguri duhet ta dijë arsyen se përse trajneri i ri i Shqipërisë u largua nga drejtimi i Kamerunit përpara se bosi i FSHF-së të vendoste për të punësuar holandezin Ari Haan dhe jo austriakun Hans Krankël. Ari Haan dha dorëheqjen nga drejtimi i “luanëve” afrikanë për një arsye shumë të thjeshtë kur kishte mbushur vetëm gjashtë muaj në drejtimin e Samuel Eto’së me shokë.
“Unë nuk mund të ndërtoj një ekip të mirë për Kamerunin për shkak të ndërhyrjes në punën time”, - tha Haan për prestigjiozen britanike “BBC” në shkurt të vitit 2007, duke fajësuar presidentin e Federatës Kamerunase të Futbollit, Mohamed Iya.
“Gjithkush në federatë ndërhyn dhe në mënyrë të veçantë presidenti, kështu që nuk është më e nevojshme që unë të qëndroj”. Haan tregon edhe shkakun e largimit. Federata kamerunase organizoi një ndeshje miqësore me Togon (një vend tjetër afrikan), por pa dijeninë e holandezit.
“Ata nuk respektuan dëshirën time për miqësoren kundër Togos dhe i nisën përgatitjet pa marrë më parë aprovimin tim. Jam unë ai që duhet të organizoj ndeshjet për ekipin kombëtar dhe jo federata”, - sqaron Haan për “BBC”-në. Për ta përkeqësuar edhe më shumë humorin e Arit, federata kamerunase e përjashtoi atë nga një delegacion zyrtar për Kampionatin Afrikan të të Rinjve që u zhvillua në Kongo. “Unë dëshiroja të monitoroja disa lojtarë të rinj për ekipin kombëtar, por ata refuzuan. Kjo tregon se federata ka një vizion ndryshe nga ai që kam unë për futbollin kamerunas. Unë do të kthehem pas nëse gjërat do të ndryshojnë”, - përfundoi Haan, por ai nuk u kthye më kurrë aty. Tashmë ai do të drejtojë nga 1 janari i vitit 2008 Shqipërinë.

“Oto Bariç vjen pas meje”

Kur Han u prezantua për herë të parë përpara medieve shqiptar, shumë veta e panë me dyshim atë, në raport me vlerat që kishte sjellë kroati Oto Bariç. Trajneri holandez pohoi se ai nuk e ndjente veten aspak inferior në raport me Bariçin, edhe pse 75-vjeçari kishte një eksperiencë të madhe në trajnim. Han, për ta bërë edhe më të besueshme solli edhe një shembull. “Unë kam pasuar Oto Bariçin në drejtimin e Shtutgardit në Gjermani. Unë arrita ta çoj (skuadrën gjermane) në finalen e Kupës UEFA, dhe jo Oto”, - tha me të qeshur ai

Sistemi spanjoll

Ari Han dëshiron një Shqipërisë sulmuese, por me vetëm një lojtar të mirrëfilltë në sulm. Një përzjerrje midis shkollës holandeze e asaj spanjolle. Hani pëlqen një sistemin e lojës që aplikoi Spanja në Kampionatin Europian dhe që ia doli të fitojë Euro 2008: 4-3-2-1. “Ky është sistemi më modern për momentin dhe që pëlqej unë më shumë”. Në dy ndeshjet zyrtare, Salihi luajti si sulmues i vetëm kundër Suedisë, ndërsa Bogdani kundër Maltës.

“Shakaja” me Bogdanin

Në miqësoren kundër Lihteshtejnit Han bëri një “shaka të vogël”. Kur zbardhi 18 lojtarët të thirrur për miqësoren kundër Lihteshtejnit “tulipani” la jashtë listës një nga simbolet e sulmit shqiptar, Erjon Bogdanin. Një “shuplakë”, që u duk duket si pak e tepruar për sulmuesin e Kievos. Në ndeshjen kundër Suedisë e la në stol Bogun, ndërsa në atë kundër Maltës e futi titullar. Shpërblimi nga Eri, goli i parë në fitoren 3-0 kundër maltezëve.

Tersllëku i Hanit e “gjoba” e FIFA-s

Muajt e parë të Hanit në krye të bankinës shqiptare nuk patën ngjyra të ngrohta, përsa i përket ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Për shkak të pezullimit të përkohëshëm të Shqipërisë nga FIFA e UEFA, u anuluan miqësoret me Arabinë Saudite në Dammam (21 mars) dhe Moldavisë në Tiraspol (26 mars). Në rrezik u vu dhe testi me Poloninë (27 maj), por rikthimi i Shqipërisë në familjen botërore e evropiane, bëri të mundur zhvillimin e miqësores. Han ka ndjekur disa ndeshje të kampionatit shqiptar, por në të shumtën e tyre, ose ka ikur pa përfunduar takimi, ose është shprehur pa ndonjë konsideratë të madhe për nivelin e futbollit tonë. Në katër ndeshjet tij në stolin e Shqipërisë, dy zyrtare e dy miqësore, ish-trajneri i Kinës e Kamerunit regjistroi 2 fitore me ekipet modeste si Lihtenshtejni (2-0, miqësore) e Malta (3-0, zyrtare); 1 barazim të madh me Suedinë (0-0, zyrtare) e 1 humbje me finalisten e Euro 2008-s, Poloninë (0-1, miqësore). Tej këtyre, edhe 1 fitore e 1 barazim me skuadra modeste klubesh: 2-2 me Kazaskin nga Kazakistani dhe 3-1 me Shafhauzen të kategorisë së dytë zvicerane.

ISH-TRAJNERËT

Hafizi

Ish-trajneri Atrit Hafizi, rekordmeni shqiptar me kombëtaren përsa i përket numrit të ndeshjeve (25), pohoi se ekipi kuqezi duhet të rinovohet: “Unë mendoj se Ari Han tashmë ka hyrë në brendësi të kombëtares Shqiptare. Ai me siguri që, tashmë njeh disa lojtarë dhe ka ide te qarta”. Hafizi, i cili e morri Kombëtaren shqiptare pas dorëheqjes së Neptun Bajkos, arriti 4 fitore në 25 takime.

Zhega

Edhe pasuesi i Hafizit në stolin kuqezi, shkodrani tjetër Mehdin Zhega (13 ndeshje, 6 fitore) është shprehur pak kohë më parë se ka ardhur koha, që Kombëtarja të ketë një ekip të rinuar. “Ari Han duhet të vazhdojë rrugën e nisur nga Oto Bariç. Unë mendoj se ne duhet të ndërtojmë një skuadër për të ardhmen, pavarësisht se tifozët tanë duan që ne të jemi ne vendin e tretë apo të katërt në grup”.

Bariç

“Jini më seriozë me Hanin”. Ky ishte mesazhi ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare, Oto Bariç, ndaj drejtuesve të FSHF-së e futbollistëve, pasi iu informua se holandezi ishte zgjedhur në postin e trajnerit si pasardhësi i tij në krye të stolit kuqezi. “Ari Han ka gjithë jetën që merret me klube të ndryshme dhe me Kombëtare të ndryshme. Është një njeri që e njeh mjaft mirë futbollin. Shpresoj që lojtarët e Kombëtares shqiptare të jenë seriozë me të”.

13 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›