Transferimi te Marseja, mbaron hetimi ndaj Lorik Canës
Transferimi i Lorik Canës nga Paris Sën Zhërmeni të Olimpiku i Marsejës në gusht të vitit 2005, prej disa vitesh ka qenë në fokusin e drejtësisë franceze dhe hetuesve. Gazeta “La Provance” pohoi faktin se hetimin në lidhje me ndërkombëtarin shqiptar tashmë kanë përfunduar. Drejtësia, sipas saj, është duke pritur vetëm një verifikim të fundit nga komisioni i caktuar. Derdhja e një shume prej 480 mijë eurosh në një llogari pranë një banke të Monakos ngacmoi policinë franceze për të dyshuar e nisur hetimet. Por Lorik Cana nuk është lojtari i vetëm nga Marseja. I përfshirë në “lupën” e hetimeve të policisë franceze është edhe Didier Drogba, i cili u transferua te Çelsi për shumën e 37 milionë eurove në merkaton verore të vitit 2004. Në fokus janë dhe tetë lojtarë të tjerë të Olimpikut të Marsejës në lidhje me të drejtat e imazhit, një shumë që llogaritet në 2.8 milionë euro. Lorik Cana mbërriti me vonesë në Francë pas dy ndeshjeve me Shqipërinë në eliminatoret e Kampionatit Botëror dhe të premten kreu një seancë specifike. Burime nga kampi marsejez pohojnë se trajneri belg Erik Gerets do ta ruajë kapitenin në ndeshjen kundër Bordosë, për ta pasur Canën të freskët për ndeshjen kundër Liverpulit në Ligën e Kampioneve.
Ne Kotbus gezohen per fitoren e Skeles
Trajneri i Energi Kotbusit, slloveni Bojan Prashnikar beson se rikthimi i Ervin Skelës nga dy sukseset me kombëtaren shqitpare do t’i ketë dhënë impulse pozitive mesfushorit. “Përmes rezultateve të mira me ekipin kombëtar do t’i japin natyrisht kurajë atyre për të bërë një prezantim të mirë në Bundesligë’, - citohet trajneri i Skelës nga faqja gjermane lr-online.de. “Para së gjithash Ervin Skela, i cili rikthehet nga Tirana ballëhapur”, - shton gazeta. Në fakt, sipas mediave gjermane, regjisori shqiptar i mesfushës, ende nuk ka dhënë rezultatet e mira të fundsezonit të kaluar, kur arriti t’i sigurojë edhe mbijetesën e Energi Kotbusit. “Skela udhëhoqi Shqipërinë në një fitore të qartë 3-0 kundër Maltës”.
Hyka, Mainci e sheh si titullar
Jahmir Hyka bëri dy paraqitje mbresëlënëse me përfaqësuesen shqiptare, ku në barazimin pa gola kundër Suedisë u vlerësua edhe si magjia e mbrëmjes. Edhe në fitoren 3-0 kundër Maltës, autori i golit më të shpejtë të Shqipërisë në një ndeshje ndërkombëtare luajti në nivel të lartë për gjatë 90 minutave. Por mesa duket, mesfushori shtatshkurtër ka pësuar një dëmtim të lehtë në shputën e këmbës. “Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Me një fashë dhe pak pomadë, ai do të jetë sërish në formë”, - tha menaxheri i Mainc 05, Aleks Shuster. Hyka mbërriti me vonesë në Mainc, por kjo çështje nuk u shndërrua në një problem. Sipas “Allgemeine Zeitung”, që nga ana e saj citon burime nga shtëpia e Maincit, Jahmir Hyka mund të jetë një kandidat potencial për të luajtur nga minuta e parë në sektorin e mesfushës.
13 Shtator 2008