Aeroporti i Pragës merr emrin Vaclav Havel

Aeroporti ndërkombëtar i Pragës ka marrë emrin e ish-presidentit të Republikës Çeke, Vaclav Havel, i cili vdiq vitin e kaluar.
Ceremonia e inaugurimit u zhvillua të premten, ditën kur ish-lideri do të mbushte 76 vjeç. Sipas BBC, më shumë se 80 mijë persona firmosën një peticion duke kërkuar ndërrimin e emrit të aeroportit në nderim të Havelit.
Ministri i jashtëm çek, Karel Schwarzenberg theksoi se shpresonte që çdo bashkëkombës i tij që linte aeroportin ndërkombëtar të kujtohej për njeriun të cilit i detyrohet lirinë që gëzon sot.
Aeroporti më parë njihej me emrin Ruzyne.
Vaclav Havel udhëhoqi rrëzimin paqësor të komunizmit në Çekosllovaki në vitin 1989. Ai ndërroi jetë dhjetorin e kaluar, pasi vuante nga probleme në aparatin e frymëmarrjes.