E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeverisë s’po i shihet hajri

Lëvizja Vetëvendosje, ka paraqitur alternativën e saj qeverisëse për politikat Sociale. Sipas saj, për të dal nga gjendja e rënë ekonomiko-sociale në Kosovë, fokus të veçantë duhet dhënë prodhimit vendor. Ndërsa, ka fajësuar Qeverinë aktuale, për shkak të gjendjes së rëndë të krijuar në vend. Sipas Vetëvendosjes, kjo Qeveri më shumë po hapë vende pune në Serbi, sesa në Kosovë.

Drejtues i Komitetit për mbrojtje sociale në Lëvizjen “Vetëvendosje”, Faton Topalli, ka hedhur një varg kritikash në adresë të Qeverisë aktuale, duke thënë se Qeveria në pushtet, më shumë është një qeveri e konsumit se sa e krijimit të vendeve të reja të punës. Sipas tij, fatkeqësisht, kjo Qeveri, po krijon vende pune në Serbi dhe jo në Kosovë.

“Me këtë politikë, që po e zhvillon Qeveria, po sigurojmë vende pune në Serbi, po sigurojmë vende pune në rajon, e vende të tjera. Në këtë mënyrë, nuk ka mundësi me u ngrit zhvillimi ekonomik. Vetëvendosje, nuk po e thotë për herë të parë. Këtë e ka thënë edhe në programin e saj ekonomike që do të angazhohet që të ketë prodhim në vendin tonë. Vetëm 10 për qind e ndërmarrjeve prodhojnë, i gjithë prodhimi tjetër vjen nga vendet tjera”, ka thënë Topalli.

Ai ka thënë se Vetëvendosje në politikat e saj sociale, në fokus, e ka ngritjen e prodhimit vendor, ngase me ngritjen e prodhimit hapen më shumë vende pune në vend.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje, angazhohemi që të ketë prodhim vendor, që t’i mbrojmë prodhimet vendore, që të rrisim TVSH-në, në ato fusha që kanë të bëjnë me luksin, ndërsa të ulim, në ato që janë themelore, siç janë vaji, buka, e të gjitha produktet tjera që janë të nevojshme. Implementimi i këtij programi nuk mund të bëhet sot për nesër. Unë mendoj që brenda katër viteve ka mjaftë kohë dhe shumë kohë për të bërë ndryshime. Ndryshimet, nuk kanë ndodhur deri më tash, sepse kjo Qeveri, nuk e ka në qendër të vëmendjes njeriun, por pasurimin e pushtetarëve dhe pasurimin e klaneve të ndryshëm”, ka thënë Topalli.

Ndërkaq, anëtari tjetër i Komitetit për mbrojtje sociale në “Vetëvendosje”, Armend Shkozaj, më tepër është ndalur në gjendjen sociale në Kosovë dhe në veçanti në zbatueshmërinë e ligjit të punës, që, sipas tij, fatkeqësisht nuk është duke u zbatuar, për shkak, siç ka thënë ai, të shumë ngecjeve. Ai konsideron se për të pasur përparime në këtë drejtim, duhet funksionalizuar shumë mekanizma të cilat i ka paraqitur edhe me anë të një prezantimi.

“Mungesa edhe e vullnetit, mirëpo edhe e kapaciteteve e ka krijuar këtë gjendje, sepse në rend të parë në momentin që krijohet një infrastrukturë ligjore, duhet të parashihen edhe mekanizmat të cilët edhe do të sigurojnë zbatimin e asaj infrastrukture, të cilat do të garantojnë respektimin. Nuk duhet që gjithmonë trajtuar se mbrojtja e të drejtave që është e paraparë me ata ligj, duhet gjithmonë të shihen se në instancë të fundit duhet të realizohen, përmes rrugëve gjyqësore. Janë edhe disa rrugë apo mekanizma institucional, të cilat duhet të garantojnë zbatimin e ligjit në praktik, para se të vije mbrojtja e tyre në sistemin gjyqësor”, ka thënë Shkozaj.

Sipas statistikave të fundit, 45 për qind e popullsisë në Kosovë jeton në varfëri të skajshme, ndërsa 17 për qind në varfëri ekstreme. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›