Aestetika dhe psikologjia e perceptimit
(Me poezinë e Arian Lekës)
Të përshkruash principet aestetike të poezisë së Lekës, s’është thjesht domosdoshmëri, është njëkohësisht edhe përkushtim e një punë aq e dyfishtë, aq e ndjeshme, sa duhet të shkruash një histori të plotë të aestetikës në poezi. Deri tani, ajo që kuptohet e thuhet lehtë, nëpërmjet komunikimit me poezinë e tij, është se influenca negative e diktuar sot më së shumti në “tregun e vargut” nga “poetizmi” dhe “poetizimi krijues”, kanë një pasqyrë të pastër ku mund të krihen e rregullohen “bishtat” që, më së shumti, i janë vënë poezisë shqiptare si një tytë po aq e gjatë, që bashkon dhe ndan maja poetike të mirëfillta. Të marrësh në konsideratë aestetikën e poezisë së Lekës, bie fjala poezinë “Blatim” për pikë referimi, lëvizja dhe uniteti si tipare aestetike dalin në qartësim të ndjeshëm detajues. Janë proceduara që tërheqin vargun si në një lidhje dialektike me fjalën, muzikalitetin e vargut dhe imazhin, që krijohet në mendjen e lexuesit. Këto marëdhënie imazh - muzukalitet përbëjnë një binom udhëtues në tërë poetikën e tij.
Fatmir TERZIU
Lidhjet bazë midis poezisë dhe psikologjisë së perceptimit sa vijnë e bëhen një mënyrë e re komunikimi në tërë krijimtarinë bashkëkohore poetike. Arian Leka (1966) është një nga poetët bashkëkohorë shqiptarë, që në poezinë e tij ka krijuar këtë mënyrë efikase komunikimi. Është një komunikim që vjen i qartë në formën e riprodhimit të mjedisit rrethues dhe natyrës me anë të fjalës së gjetur, duke krijuar bukurinë artistike të poezisë. Është art. Art i veçantë komunikimi poetik. Një art që synon një puritet gjeometrik, me proporcione perfekte dhe regullime të objekteve natyrale, që infiltrojnë e segmentojnë të bukurën, duke i bërë fjalët korresponduese të flasin më shumë sesa vetë fakti i tërësisë që sheh e përcjell syri dhe mendja. Aty, pra pikërisht në këtë varg, gjen pikëkryqëzimin natyral të së bukurës në poezi. Është ky motiv poetik që e bën këtë poezi të ketë një dimension aestetik. Një dimension që vjen nga fjala, vargu dhe të gjitha aspektet e formës, unitetit natyror, thjeshtësisë e pastërtisë. Hegeli, te vepra e tij kushtuar aestetikës, pikërisht këtë synon: “forma dhe uniteti, po aq edhe thjeshtësia e pastërtia e materialit sensitiv, janë jetëdhënëse të abstraksionit dhe nuk shmangin unitetin e vërtetë.” (Hegel, 1842: 180)
Le të shohim vargjet e krijimtarisë së Lekës në këtë pikë. Më e përshtatshme duket poezia “Meshar”, kushtuar të papërsëritshmit Lasgush Poradeci. Ja, ku diktohet forma e uniteti: “U nisën peshkatarët, varg,/ kallamat epen - shenjtët oshënarë.” Fjala “peshkatarët” e ardhur në numrin shumës, në formën e saj si fjalë qëmton tërësinë nga ku uniteti i marëdhënieve me fjalën kumton retorikën e pathënë, për të sqaruar lidhjen natyrore dhe filozofike me tematikën e poezisë. Pastaj është kumti filozofik që depërton nëpërmjet këtij uniteti, për të plotësuar pasojën sqaruese: “Lundërza e vogël me direk dhe velë/ kishëz ku meshojnë të mbyturit çdo të diel./ Me hijen e poetit do nxjerrin nga nata,/ dhe peshq që, si unë, kanë guxim të kenë flatra”. E gjitha është një puritet
aestetik, që vjen në formë të plotë e të kuptueshme. Është një puritet aestetik në poezinë shqiptare që, natyrshëm, kërkon vëmendje dhe ndjeshmëri.
Principet aestetike
Por të përshkruash principet aestetike të poezisë së Lekës, s’është thjesht domosdoshmëri, është njëkohësisht edhe përkushtim e një punë aq e dyfishtë, aq e ndjeshme, sa duhet të shkruash një histori të plotë të aestetikës në poezi. Deri tani, ajo që kuptohet e thuhet lehtë, nëpërmjet komunikimit me poezinë e tij, është se influenca negative e diktuar sot më së shumti në “tregun e vargut” nga “poetizmi” dhe “poetizimi krijues”, kanë një pasqyrë të pastër ku mund të krihen e rregullohen “bishtat” që, më së shumti, i janë vënë poezisë shqiptare si një tytë po aq e gjatë, që bashkon dhe ndan maja poetike të mirëfillta.
E ndjej të arsyeshme të them se kjo ndarje e ky bashkim shpesh janë një morsetë dëmtuese, që vjen nga komercializmi poetik. Është ky koncept pastaj, që ndërthuret si një pjesë e dëmtimit të kuptimit aestetik të poezisë. Që nga koha kur nisi tentativa e parë për të formuluar ligjin aestetik të tragjedisë greke, për shembull, ajo që thuhej të merej për bazën e faktorëve socialë e historikë, duket se ka evoluar shumë dhe në poezinë shqiptare tashmë ka këndvështrim tjetër. Ritet simbolike, të cilat Arian Leka i përdor në poezinë e tij, ngjashëm diktojnë novacionin aestetik të sakrificës dhe primitivitetit përreth mitologjisë. Mundësia që na jep Leka me poezinë është një ndihmesë në fushën e aestetikës. Ky kontribut poetik në këtë fushë është po aq i rëndësishëm dhe i përafërt edhe me teorinë fizike të kontrastit, që vjen nga ngjyrat në artin e pikturës apo edhe të atij që vjen e krijon peshën emocionalë nën ritmin e muzikës. Ai është editori i revistës “Poeteka”, revistë e poezisë dhe e kulturës poetike, por jo thjesht për këtë fakt disa nga librat e tij që mund të përmenden, janë: “Ky vend i qetë ku s’ndodh asgjë” (1994), “Veset e të vdekurve” (1997), koleksioni i vëllimeve poetike “Anija e gjumit” (2000) “Strabizëm” (2004) etj. Në tërë këtë krijimtari të Arian Lekës, aestetika ka peshën e vet zotëruese.
Lëvizja dhe uniteti
Të marrësh në konsideratë aestetikën e poezisë së tij, bie fjala poezinë “Blatim” për pikë referimi, lëvizja dhe uniteti si tipare aestetike dalin në qartësim të ndjeshëm detajues. Janë proceduara që tërheqin vargun si në një lidhje dialektike me fjalën, muzikalitetin e vargut dhe imazhin, që krijohet në mendjen e lexuesit. Këto marëdhënie imazh - muzukalitet përbëjnë një binom udhëtues në tërë poetikën e tij. Në këtë poezi fjalët ”Blatim”-”Kontrapunkt” diktojnë koncept, por edhe pështjellim. Vijnë nga kënd tjetër e “gjunjëzojnë” gjuhën, por ama në mënyrë aestetike lartësojnë poezinë dhe i japin asaj një çelës modern hyrës. Autori e konsideron reduktimin dallgëzues të dëmshëm në poezi, duke kursyer fjalën dhe ngjitur kuptimin aestetikën të fjalës së duhur e të ngjizur në kuptim. Këtu, pra në këtë kuptim aestetik të marrë në konsideratë nga poezia e lartpërmendur, është një shenjim që nënvizon kohën, hapësirën, materien, situatën dhe lëvizjen. Është një itinerar aestetik që vjen shkëlqyeshëm që nga situata, lidhja me kohën e fëmijërisë e deri te maturia dhe ikja e fundit e “poetit”. Është ky “blatim” që vjen në krah të fjalës “Kontrapunkt”. Është ky itinerar aestetik që formon thelbin dhe rëndësinë e rrjedhës së lëvizjes. Është pikërisht ajo që, në gjuhën e Gëtes, vjen si një “funksion dhe dramë” (Gëte, “Poezia dhe e vërteta”: Pjesa e parë, Libri i katërt). Është pikërisht ajo që e bën këtë si një pamje midis funksionit dhe dramës te vargjet e poetit Leka: “Kur linda,/ Zoti më fali një lodër/ dhe “luaj”, më tha, “prishe, mos kij frikë,/ mund ta nisësh me këmbët,/ por më mbarë është me sytë”. Gëtja na mëson njësoj kur tregon se si i Ati i pati thënë: “bazuar tek im Atë, çdokush duhet të mësohet të vizatojë, dhe për këtë arsye ai mori një urim të madh nga Perandori Maksimilian, që është thënë se i ka dhënë një vlerësim të madh nga ai efekt. Ai më shumë se kaq më urdhëroi që të praktikojë vizatimin më shumë se muzikën”. Ndërsa në këtë linjë aestetika e Arian Lekës na ridimensionon lojën dhe lodrat fëminore me fuqinë e fjalës së Zotit, që “i fal një lodër”, duke perceptuar kohën dhe situatën e asaj moshe fëminore. Më tej është lëvizja që në hapësirë e kohë krijon komunikimin midis vargjeve të poezisë dhe psikologjisë së perceptimit: “Duart me erën/ Uji me qerpikët/ Këmbët me gurët/ Koka me pemët/ dhe/ Gjethet ranë kur fillova të luaja me/ zemrën/ Buzët, gishtërinjt u dogjën/ Mbi ishuj që fshihen hartës./ Pastaj: Mendja – çmendja - goja - loja-/ -ikja – pritja – rënia - ngritja/ Brinja – thinja – buza - muza-/ -burri – huri - shishja- prishja/ Mëlçia –v etmia –deti -mbreti-/ -era – dera – dimri - vera/ Mushkëria – shtëpia –gota - bota-/ -kamja - troka- veshka - breshka/ ëndrra-gropa”.
Dhe funksioni dramatik mbipeshon me ritmin muzikal të fjalëve.
Në poezinë e zakonshme dhe në tërë praktikën e saj, kjo kërkesë e muzikalitetit është rëndom një situatë ndryshe. Në këtë rast ajo vjen si një domoshmëri dhe po aq veçanti për të thënë më shumë në një hark kohor të gjatë dhe me një diapazon të mjaftueshëm, tejet të kursyer fjalësh. Është në fakt një risi e ndeshur në poezinë gjermane, ku ndihet kreshendoja muzikore. Te poezia dhe vargjet e mësipërme ndeshet edhe një lloj interference, që vjen nga fjalëkëputja dhe fjalëlidhjet në ritëm. Rima që ata prodhojnë në funksionin pikëlidhës me kuptimin, është një mënyrë tjetër aestetikë që plotëson lidhjet bazë midis poezisë dhe psikologjisë së perceptimit. Në vazhdimin e vargjeve të mëposhtme, kjo duket më së miri:
“Kur linda,/ Zoti më fali një lodër/ Trupin tim:/ Po ta kthej të rrëgjuar/ të dobët të shpuar,/ grisur e grirë,/ lëkurë krejt pa frymë,/ djegur e lëpirë, me kripë/ e me brymë,/ nga syri i limaksur/ nuk ta ruajta dot: Falmë, / Falmë, Zot!”
10 Gusht 2009