E Shtunë, 31 Tetor 2026

FLAKA E VJEDHUR



“Këtu janë miqtë e mi, poetët shqiptarë, edhe ndër të vdekurit edhe ndër të gjallët, e që të gjithë së bashku përbëjnë yllësinë e amshuar të flakës së paasgjësueshme të poezisë. Nuk është vështirë të dëshmohet dhe të nënshkruhet se poezia bashkëkohore shqipe është sot ndër poezitë më të freskëta europiane, se ajo është poezi që identifikohet në bazë të freskisë së metaforës, mendimit, imazhit, poetikës, në bazë të diçkaje që është aq e veçantë, sa të konkludohet se edhe popuj shumë më të medhenj do të ishin të lumtur ta kishin poezi, çfarë është poezia bashkëkohore shqiptare, të kishin poetë si Zef Zorba, Enver Gjerqeku, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Ismail Kadare, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu, Eqrem Basha, Sabri Hamiti, Visar Zhiti, Basri Qapriqi, Mimoza Ahmeti, Arjan Leka, Salajdin Salihu dhe të tjerë, të cilët janë përfshirë në këtë libër të artë të poezisë bashkëkohore shqipe në gjuhën malazeze.” Kështu shprehet bardi i letërsisë malazeze Jevrem Brkoviq.
Smajl SMAKA
Këto ditë, në botim të Akademisë së Duklës në Podgoricë, doli nga shtypi Antologjia e poezisë bashkëkohore shqipe “ Flaka e vjedhur”. Përkthyes i antologjisë është Qazim Muja, redaktor është bardi i letërsisë malazeze Jevrem Brkoviqi, ndërsa redaktor akademiku Sreten Peroviqi.
Kjo është antologjia e parë e një letërsie që prezantohet në gjuhën e standardizuar malazeze. Në përzgjedhje të Bashkim Kuçukut në antologji janë përfshirë 34 autorë nga të gjitha trevat shqiptare, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Çamëria, arbreshët dhe diaspora. Për kureshtjen e lexuesit, ja dhe poetët: Esad Mekuli, Voreo Ujko, Zef Zorba, Martin Camaj, Enver Gjerqeku, Fatos Arapi, Mihal Hanxhari, Dritëro Agolli, Din Mehmeti, Bilal Xhaferi, Fahredin Gunga, Ismail Kadare, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Frederik Reshpja, Ali Podrimja, Sadik Bejko, Zef Skiroi di Maxho, Xhevahir Spahiu, Primo Shllaku, Bardhyl Londo, Natasha Lako, Eqrem Basha, Sabri Hamiti, Visar Zhiti, Ibrahim Berisha, Basri Qapriqi, Mimoza Ahmeti, Arjan Leka, Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Salajdin Salihu, Lindita Ahmeti, Ervin Hatibi.
Librit i paraprin parathënia e akademikut Jevrem Brkoviq, si dhe tri fjalë përmbyllëse (pasthënia) të Bashkim Kuçukut, Qazim Mujës dhe akademikut Sreten Peroviq. Po ashtu, në libër gjenden edhe shënimet bio-bibliografike për autorët e prezantuar.
Jevrem Brkoviqi, midis të tjerash, në parathënien e tij shprehet:
“Këtu janë miqtë e mi, poetët shqiptarë, edhe ndër të vdekurit edhe ndër të gjallët, e që të gjithë së bashku përbëjnë yllësinë e amshuar të flakës së paasgjësueshme të poezisë. Nuk është vështirë të dëshmohet dhe të nënshkruhet se poezia bashkëkohore shqipe është sot ndër poezitë më të freskëta europiane, se ajo është poezi që identifikohet në bazë të freskisë së metaforës, mendimit, imazhit, poetikës, në bazë të diçkaje që është aq e veçantë, sa të konkludohet se edhe popuj shumë më të medhenj do të ishin të lumtur ta kishin poezi, çfarë është poezia bashkëkohore shqiptare, të kishin poetë si Zef Zorba, Enver Gjerqeku, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Ismail Kadare, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu, Eqrem Basha, Sabri Hamiti, Visar Zhiti, Basri Qapriqi, Mimoza Ahmeti, Arjan Leka, Salajdin Salihu dhe të tjerë, të cilët janë përfshirë në këtë libër të artë të poezisë bashkëkohore shqipe në gjuhën malazeze.”

10 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›