E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afaristët të pakënaqur nga arritjet ekonomike

Prishtinë - Kosova festoi 17 shkurtin, përvjetorin e pavarësisë, mirëpo afaristë dhe ekspertë të ekonomisë nuk shprehen shumë të kënaqur me arritjet ekonomike. Kosova ende nuk arriti të anëtarësohet në organizatat financiare ndërkombëtare, Fondin Monetar Ndërkombëtar e as në Bankën Botërore.

Megjithë premtimet qeveritare, tërheqja e investimeve nga jashtë, nuk u arrit të bëhej në mënyrën e duhur. As inkuadrimi në organizatat ndërkombëtare financiare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Banka Botërore. Bizneset ndërkaq, vazhdimisht kanë kërkuar kushte më të mira për afarizëm. Menaxheri i Kompanisë Fluidi dhe anëtari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Berat Mustafa, shprehet se gjatë një viti pavarësi, është arritur diçka, por ende ka hapësirë për përmirësim. Ai tha se “Me shpalljen e pavarësisë e kemi kuptuar se e kemi një përkrahje më të madhe, e kemi një shtet. Por, kemi prit ndryshime në politikat fiskale, realisht ka disa ndryshime, por ne si prodhues kemi prit ndryshime më të mëdha, së paku nivelizim me ato në rajon.”

Sektori bankar në Kosovë megjithë krizën financiare ndërkombëtare, është mbajtur mirë. Por, edhe këtu janë disa gjëra që duhet të përfundohen, thotë drejtori i Bankës Kombëtare Tregtare, Spiro Brumbulli i cili shtoi se “Mungon ligji për bankat bie fjala, mungon ligji për noterët i cili për ne është i rëndësishëm... pra ka akoma për t’u bërë, por në një vit nuk duhet të pretendojmë të gjitha, për të qenë realist.”

Me lëvizjet në ekonominë e vendit tonë, gazetarët e ekonomisë janë ata të cilët gjithmonë kanë qenë pranë zhvillimeve. Redaktori i çështjeve të ekonomisë, Ibrahim Rexhepi thotë se u dëshmua që periudha 1-vjeçare ka qenë e shkurtë për shpresat e mëdha në sferën e ekonomisë. Ai u shpreh se “Pavarësia e ka kuptimin, se Kosova e krijon shansin për një zhvillim në perspektivë në të ardhmen... por kjo po ndodhë në kohën e krizave që realisht nuk do të jetë lehtë që të mbërrihet ajo për çka njerëzit shpresojnë. Mund të ndodhë që edhe shpresat kanë qenë joreale, se me pavarësinë do të bëhet gjithçka.”

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›