E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afatet e paraburgimit, nis seanca ndaj Agim Llupos

TIRANE - Në Gjykatën e Tiranës ka nisur procesi gjyqësor për shqyrtimin e kërkesës së ish-gardistit Agim Llupo, i cili kërkon lirimin pasi kanë kaluar afatet e paraburgimit.

Për herë të parë ka folur në seancë, ish-gardisti Llupo i cili ka pohuar se askush nuk ka kryer hetime ndaj tij dhe nuk është marrë në pyetje për një vit rresht. Llupo ka pohuar se vetëm në 9 maj i kanë komunikuar shtyrjen e hetimit.

“I kam pyetur sa burg bëjnë këto nene. Më thanë ç’të duhen nenet, ty të ka dënuar populli me votë.”- deklaroi Llupo.

Pala mbrojtëse ka kundërshtuar fort vendimin e gjykatës së dy ditëve më parë, e cila pranoi kërkesën e prokurorisë për zgjatjen edhe tre muaj të afateve të paraburgimit për Llupon.

Avokati Fatos Shanaj ka deklaruar në seance se me vendimin e 8 shkurtit është cënuar barazia e gjykimit dhe se gjykata është bërë palë me prokurorinë.

Sipas palës mbrojtëse dy kërkesat e prokurorisë dhe palës mbrojtese duhet te ishin shqyrtuar se bashku.
Gjyqtari Shkëlqim Mustafa tha se gjykata u detyrua të jepte vendim pasi kishin kaluar më 7 orë afatet e paraburgimit. Pala mbrojtëse e ish-gardistit Llupo paralajmëroi ankimimin e vendimit të 8 shkurtit.

Agim Llupo akuzohet për vrasjen në 21 janar të demonstruesit Ziver Veizi, në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›