E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afati i fundit

Ndryshimet e paralajmëruara në Qeverinë e Kosovës nuk do të ndodhin së paku edhe tri javë, kanë thënë të martën burime të gazetës Express.

Pavarësisht se dy partnerët e koalicionit janë pajtuar në parim për riformatim të koalicionit qeveritar dhe kanë zhvilluar bisedime për ndryshimet e mundshme, ende nuk ka asnjë vendim.

Në bazë të Kushtetutës, për të gjitha ndryshimet në Qeveri vendos Kryeministri Hashim Thaçi, por për ministrat që vijnë nga radhët e LDK’së duhet të konsultohet me krerët e kësaj partie.

Javën e kaluar është thënë se Kryeministri Thaçi do të vendosë për ndryshime pas raundit të tretë zgjedhor në Prizren dhe Lipjan, por kjo nuk do të ndodhë deri pas vendimit përfundimtar për Kryetar të Komunës së Gjilanit.

Kjo komunë ka mbetur pezull për shkak të bllokadës në Komisionin Qendror Zgjedhor dhe përfshirjes së Gjykatës Supreme për sqarimin e aspekteve ligjore për këtë çështje.

Partneri i madh i koalicionit qeveritar, Partia Demokratike e Kosovës, nuk ka vullnet për të çuar në fund procesin e ndryshimeve në Qeveri pa vendim përfundimtar për kreun e Komunës së Gjilanit.

Përveç kësaj, burime të gazetës kanë thënë se shtyrja e vendimeve për ndërrim të ministrave bëhet edhe për shkak të festimeve për dyvjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Sipas zyrtarit të lartë qeveritar, java e fundit e këtij muaji dhe java e parë e marsit është periudha kohore kur pritet të përfundojnë konsultimet mes Kryeministrit Thaçi dhe krerëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Vendimet për riformatim pritet të ndodhin mes 20 shkurtit dhe 5 marsit”, ka thënë ai, me kusht anonimiteti.

Sipas fjalëve të tij, ndryshimet mund të përfshijnë rreth një të tretën e anëtarëve të Qeverisë Thaçi, por nuk ka pranuar të përmendë ndonjë emër.
“Karriget ministrore mund t’i humbin 4-6 ministra, ndërkaq ka ide edhe për lëvizje të ministrave dhe zëvendësministrave nga një ministri në tjetrën”.

Kabinetit qeveritar mund t’i shtohet edhe ndonjë ministër pa portofol.

Ndërkaq, në plan është edhe krijimi i Ministrisë për Integrime Europiane. As për këtë ministri të re nuk ka marrëveshje se cilit subjekt politik do t’i takojë.
Ndryshe, konsultimet mes krerëve të dy partive që përbëjnë koalicionin janë ndërprerë që disa ditë, sepse LDK’ja ka shpallur zi pas vdekjes së Nënkryetarit të saj, Fadil Ferati. Edhe udhëtimi i Presidentit Fatmir Sejdiu në Turqi ka ndikuar që kjo çështje të shtyhet për disa ditë.

Për të shqyrtuar mundësinë e ndërrimit të ministrave është vendosur pas raundit të parë zgjedhor në nëntor të vitit të kaluar, pas garës së ashpër elektorale që lëkundi themelet e koalicionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›