E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afër Ligës Ballkanike

Zyrtarë të lartë të FIBA-s u kanë premtuar udhëheqësve të basketbollit kosovar se do të bëjnë çmos që t’ua mundësojnë klubeve të Kosovës pjesëmarrjen në Ligën Ballkanike prej edicionit të ri. Për këtë, FIBA do të mundohet ta shfrytëzojë marrëveshjen politike të arritur mes Kosovës e Serbisë – për përfaqësim rajonal të vendit tonë. Më në fund, FIBA duket të jetë zbutur edhe karshi grupmoshave, trajnerëve e gjyqtarëve kosovarë, e po ashtu ka shprehur gatishmëri t’i mbrojë edhe transferimet e basketbollistëve nga Kosova.

Më në fund, FIBA duket se ka filluar ta zbutë qëndrimin e saj karshi Kosovës. Në fakt, të martën në Gjenevë të Zvicrës, sekretari i shtëpisë së basketbollit botëror, Patrick Baumann dhe drejtori sportiv i saj, Lubomir Kotleba, janë takuar me delegacionin e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), i cili përbëhej nga kryetari Fatmir Gashi, nënkryetari Artan Rugova dhe sekretari i përgjithshëm Nazmi Paçarada.

Sikurse më parë, edhe në këtë takim, temë kryesore e diskutimit ka qenë gjetja e ndonjë rruge që klubet kosovare të dalin nga izolimi dhe të garojnë në gara ndërkombëtare, të paktën nëpër ligat rajonale.

Sipas një njoftimi për media të lëshuar nga FBK-ja, kërkesa e saj kësaj here është mirëkuptuar nga zyrtarët e lartë të FIBA-s, të cilët më moti sikur nuk donin të dëgjonin rreth kësaj çështjeje.

Madje, sipas njoftimit, Kotleba e Baumann i kanë premtuar delegacionit kosovar se do të mundohen ta shfrytëzojnë marrëveshjen politike mes Kosovës e Serbisë – që ka të bëjë me përfaqësimin rajonal të Kosovës – që klubet kosovare nga edicioni i ri të garojnë në Ligën Ballkanike.

“Për këtë u diskutua gjatë, duke analizuar rregulloret e FIBA-s dhe mundësitë më të afërta edhe pas marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në lidhje me përfaqësimin rajonal të Kosovës në të gjitha sferat dhe me këtë rast u kërkua që kjo marrëveshje në kohë sa më të shkurtër t'i dërgohet FIBA-s për t'u proceduar kjo çështje për lejimin e garimit. Disponimi është më se evident që kjo të bëhet e mundur para fillimit të Ligës Ballkanike të këtij edicioni”, thuhet në kumtesën e FBK-së.

Njëherësh, FBK-ja ka kërkuar nga FIBA që t’i lejojë të gjitha grupmoshat e reja kosovare të garojnë në garat e organizuara nga FIBA. Këtë kërkesë Baumann e Kotleba kanë premtuar se do të mundohen ta jetësojnë më së largu në vitin e ardhshëm.

Po ashtu, FBK-ja ka kërkuar nga FIBA t’i pajisë me licenca të saj gjyqtarët dhe trajnerët kosovarë.

“Licencimi i trajnerëve mund të jetë më i lehtë, sepse mund të jetë edhe kërkesë individuale e mbështetur nga Federata për t’iu nënshtruar programit dhe testeve të licencimit. Kurse për gjyqtarët kërkesa është me procedurë më të komplikuar, ngase duhet Federata të jetë e pranuar ndërkombëtarisht”, theksohet pos tjerash në njoftim.

Ndërkohë, FBK-ja ka kërkuar nga FIBA që t’i mbrojë sipas rregullave të saj transferimet e basketbollistëve nga klubet kosovare nëpër skuadra të huaja që bëhen nëpërmjet FBK-së.

Këtë kërkesë Baumann e Kotleba kanë premtuar se do ta fusin në rend dite të punimeve të Kuvendit të FIBA-s, që mbahet në nëntor, duke dhënë shpresa të mëdha që ajo edhe mund të realizohet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›