Trepça pret fitore
Njëra prej ndeshjeve më interesante të xhiros së katërt të Superligës do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë ndërmjet Trepçës dhe Hysit.
Të dyja këto skuadra nuk e kanë nisur mirë edicionin e ri, posaçërisht Hysi. Mitrovicasit gjatë gjithë verës ishin mundur t’i konsolidonin sa më mirë radhët e tyre, por deri më tani ato përpjekje nuk ua kanë dhënë frytet e dëshiruara.
Edhe pse po tregojnë lojëra mjaft të mira, prej tri ndeshjeve të para ‘Xehetarët’ e kanë shënuar vetëm një fitore, ndërsa i kanë pësuar dy disfata.
Por, trajneri i gjelbërezinjve, Shefqet Kurti beson se skuadra e tij të mërkurën do ta shfrytëzojë përparësinë e terrenit dhe do t’u kthehet fitoreve në përballje me llapjanët.
“Hysi padyshim se tashmë e ka ndërtuar një ekip shumë të mirë. Por, unë konsideroj se si ekip ne jemi më të fortë dhe më të përgatitur. Andaj duhet ta shfrytëzojmë përparësinë e terrenit dhe besoj se të mërkurën fitorja do të na takojë neve”, tha Kurti.
Mirëpo, Trepça nuk do ta ketë lehtë ta arrijë këtë objektiv përballë Hysit, i cili në Mitrovicë do ta kërkojë këndelljen.
Bardhezinjtë ende nuk kanë shënuar fitore në këtë sezon, pasi deri më tash e kanë pësuar një humbje dhe i kanë regjistruar dy barazime.
Trajneri i llapjanëve, Hysni Maxhuni thotë se ekipi i tij përballë Trepçës do ta kërkojë fitoren e parë në këtë kampionat. Megjithatë, ai pohon se për skuadrën e tij nuk do të ishte i keq edhe një barazim eventual.
“Trepça në radhët e veta ka lojtarë cilësorë e me përvojë. Kurse ne deri më tash nuk kemi arritur rezultate aq të mira, por megjithatë jemi në rrugë të mirë për ta ndërtuar një ekip cilësor. Në këtë përballje mund të humbim, barazojmë dhe të fitojmë. Por, ne do të mundohemi që me një lojë të mirë ta nxjerrim një rezultat sa më pozitiv që është e mundur”, deklaroi Maxhuni.
Ndeshje interesante do të zhvillohet po të mërkurën në Gjakovë ndërmjet dy rivalëve të vjetër, Vëllaznimit e Lirisë, derisa në Prishtinë, Hajvalia do të ndeshet me Besën.
Të enjten Llamkos Kosova në Vushtrri do ta presë Dritën, derisa Ferronikeli do të jetë nikoqir i nënkampionit aktual, Trepça ’89.
Superliga – Xhiroja e katërt:
E mërkurë
Vëllaznimi – Liria
Trepça – Hysi
Hajvalia – Besa
E enjte
LL. Kosova – Drita
Ferronikeli - Trepça ‘89
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16:00