E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afër marrëveshjes?

Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit nuk ia dolën të arrijnë një marrëveshje për përfaqësimin rajonal as pas bisedimeve maratonike të enjten. Zyrtarë të BE’së thanë se dy palët janë afër për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe se po merren me detajet e fundit të cilat duken të komplikuara. Nga Brukseli u bë e ditur se takimi vazhdon sot në mëngjes.

Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale as pas dy ditësh të bisedimeve intensive në kryeqytetin europian.

Nga Brukseli është bërë të ditur se takimi i filluar në orët e mëngjesit të ditës së enjte ka përfunduar rreth mesnatës.

“Ende nuk ka marrëveshje. Do të vazhdojmë nesër në 8 e 30”, ka thënë një zyrtar i BE’së i afërt me bisedimet.

Sido që të jetë sipas këtij zyrtari palët i kanë afruar qëndrimet për mënyrën e përfaqësimit rajonal të Kosovës por ende dy delegacionet po merren me detaje të cilat po dalin të jenë të komplikuara.

“Marrëveshja është afër por detajet e fundit janë të komplikuara”, ka thënë zyrtari i BE’së pa dhënë më shumë detaje.

Sido që të jetë të enjten ka pasur një pritje të përgjithshme se Prishtina dhe Beogradi do të arrijnë një marrëveshje.

Po ashtu është folur se bashkë me njoftimin për marrëveshje për kosovarët duhet të vijë edhe një shpërblim nga Komisioni Europian që nënkupton dhënien e dritës jeshile për fillimin e studimit të fiziblitetit për Kosovën një proces që hapë rrugën që vendi të nënshkruaj më vonë Marrëveshjen për Stabilizim Asociimin.

Por nëse një gjë e tillë do të ndodhë pritet të konfirmohet sot.

Nga ajo që dihet deri më tani Prishtina dhe Beogradi kanë qëndrime të ndryshme rreth mënyrës së përfaqësimit në nismat rajonale.

Zyrtarë të Beogradit vazhdimisht kanë përsëritur se zgjidhja nënkupton me çdo kusht rezolutën 1244 si fusnotë kur Kosova të përfaqësohet në nismat rajonale. E, pala kosovare insiston që krahas rezolutës 1244 aty të përmendet edhe Deklarata e Pavarësisë dhe Mendimi i GJND’së.

Gjasat janë të mëdha që një gjë e tillë të merret parasysh por palët aktualisht në Bruksel janë duke bërë betejën se si do të radhiten këto tri “realitete” në marrëveshjen për përfaqësimin rajonal.

Shefi i ekipit negociator serb, Borislav Stefanovic, ka thënë se ekipi i tij do të luftojë deri në fund që të gjendet zgjidhja për përfaqësimin rajonal Kosovës, përkundër, siç ka thënë ai, “qëndrimit të vështirë e të ngurtë të delegacionit të Prishtinës”.

Sipas tij, pala kosovare po shtron kërkesa “joreale dhe absurde” pa bërë të ditur se për çka është fjala.

"Serbia është pajtuar për përfaqësim asimetrik Prishtinës dhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është thelbi i asimetrisë, pra pabarazisë”, ka thënë Stefanovic të enjten në Bruksel.

Sipas tij, delegacioni i Beogradit është i gatshëm që krahas Rezolutës 1244, në fusnotën e Kosovës të jetë edhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Tash i mbetet Prishtinës dhe përfaqësuesve ndërkombëtar që të mos lejojnë askënd që ta mbaj peng Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.

E pala kosovare gjatë dy ditëve të fundit në Bruksel nuk ka shfaqur ndonjë gatishmëri për t’iu drejtuar mediave.

Madje delegacioni kosovar ka shfrytëzuar dyer alternative për të marrë pjesë në bisedimet me palën serbe.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›