Mustafa konsideron se fusnota cenon Kushtetutën e vendit
Sipas tij, pranimi eventual që Kosova të përfaqësohet në nismat rajonale me fusnotë, ku përfshihet edhe Rezoluta 1244, do të shfrytëzohet në të ardhmen si praktikë edhe në nismat tjera dhe jo vetëm në ato rajonale.
“Proceset politike duhet të jenë të sendërtuara brenda kornizave kushtetuese dhe jo të bazuara në kushtëzime të cilat sot shfrytëzohen në këtë formë, ndërsa në të ardhmen do të kërkohen eventualisht edhe për përfaqësimin e Kosovës në mekanizmat e Bashkimit Evropian me fusnota”, ka potencuar Mustafa.
Lideri i LDK-së ka mohuar kategorikisht të këtë ndonjë organizim të posaçëm opozitar për t’iu kundërvënë Qeverisë së Kosovës në lidhje me fusnotën.
“Nuk ka asnjë organizim apo qëndrim të përbashkët në lidhje me këtë çështje nga tabori opozitar. Kemi pasur një ftesë nga lëvizja ‘Vetëvendosje’ për takim dhe takimi është realizuar në nivel të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, tani u takon deputetëve që t’i kenë qëndrimet e tyre në lidhje me çështjet që prezantohen”, ka pohuar Mustafa, teksa nuk ka dashur të komentojë nëse LDK-ja do të përkrahë eventualisht ndonjë nismë për protesta kundër përfaqësimit të Kosovës përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. (Koha)