E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko nuk shkon në OKB

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon, zgjedh turken Sultanoglu në krye të Zyrës për Europën e ish-vendet e BS. Ish-kryeministri socialist nuk kualifikohet për kreun e Zyrës Rajonale për Europën dhe ish-vendet sovjetike.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, ka përzgjedhur turken Cihan Sultanoglu si administratoren e re të Zyrës Rajonale për Europën dhe ish-vendet sovjetike. Ky ishte pozicioni për të cilin kandidonte dhe dy herë kryeministër i Shqipërisë, Pandeli Majko.

Vendimi është bërë publik dje në faqen zyrtare të UNDP-së, ku administratori i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Qemal Dervish, lajmëron për emërimin e ri të zonjës Sultanoglu. “Është kënaqësi për mua të njoftoj emërimin e znj. Cihan Sultanoglu (Turqi) si administratore e re, zëvendësndihmës dhe zëvendësdrejtor, Zyra Rajonale për Europën dhe Bashkësinë e Shteteve të Pavarura (RBEC) në New York”, thuhet në njoftimin e botuar mbrëmë në orët e vona.

Sipas jetëshkrimit, Sultanoglu ka një përvojë 26-vjeçare në UNDP, nga të cilat 7 vjet ka shërbyer në ish-republikat sovjetike. Para se të merrte detyrën e re, Sultanoglu ishte drejtore e burimeve njerëzore për UNDP. Në garën për postin e lartë në Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, përveç Pandeli Majkos, ishin rreth 40 kandidatë nga e gjithë bota, ndërsa vendimi u mor nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun.

Është hera e parë që një politikan apo personalitet shqiptar propozohet për të qenë kandidat në një detyrë kaq të lartë. Edhe pse u mbajt në fshehtësi nga vetë Majko, aplikimi dhe intervistimi i kandidatit u bë i njohur përmes mediave dhe për shkak të mungesave të vazhdueshme të deputetit socialist në jetën parlamentare, sidomos në votimin e kreut të KLSH-së, kur Majko u largua nga salla.

Prej më se një jave, Majko ndodhet në SHBA, kur duket se janë bërë takimet dhe intervistimet e fundit në selinë qendrore të OKB-së. Që prej nëntorit të kaluar, Majko e ka bërë disa herë itinerarin Tiranë-Nju Jork, ku është ftuar për të zhvilluar procedurat burokratike të rekrutimit në pozicionin e lartë të kësaj organizate. Propozimi për Pandeli Majkon ka ardhur nga një ambasadë e huaj në Tiranë dhe i është dërguar selisë qendrore të OKB-së, ndërsa nga Tirana Majko ka zhvilluar dhe disa video-konferenca me selinë qendrore të OKB-së rreth këtij propozimi.

Të gjitha institucionet shqiptare dhanë mbështetjen maksimale për Pandeli Majkon në kandidimin e tij. Sipas burimeve tona, si Kryeministri, ashtu dhe kryetarja e Kuvendit, por dhe Ministria e Jashtme, kanë dhënë vlerësimet maksimale me referencat e tyre për dy herë ish-kryeministrin e vendit dhe anëtarin e Kryesisë socialiste. (Gazeta Panorama)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›