"Zgjedhjet në Kosovë vështirë të realizueshme"

I ashtuquajturi sekretar i ministrisë për Kosovë, në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, ka thënë se zgjedhjet nuk mund të mbahen në Kosovë, pa pajtimin e plotë të faktorit ndërkombëtar në Kosovë.
Ai për mediat serbe ka thënë se vendimi për mbajtje të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, para së gjithash, është politik, për të cilin duhet konsensus i plotë i të gjithë akterëve politik; qeverisë, kuvendit dhe kryetarit të shtetit serb.
“Mendoj që teknikisht nuk është e mundur të organizohen zgjedhje pa pajtueshmëri të bashkësisë ndërkombëtare, pasi që UNMIK-u dhe organizata të tjera ndërkombëtare në teren e mbajnë situatën nën kontroll. Nëse me shqiptarët nuk po mundemi të merremi vesh për këtë çështje, e që është e sigurt se nuk do të mundemi, atëherë e vetmja mundësi mbetet arritja e marrëveshjes me misionet ndërkombëtare në Kosovë”, ka thënë i ashtuquajturi sekretar i ministrisë për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq.