Pa dramatizime

Çështja e përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale ka marrë nivele dramatike në mënyrën se si është prezantuar në publikun e të dy vendeve. Dusan Janjic, analist nga Beogradi, mendon se kjo çështje është fryrë shumë më shumë sesa që është në të vërtetë. Dhe kjo, për të, është një lojë politike që të dy vendet po e bëjnë për qëllime të caktuara të brendshme politike.
Në një prononcim për Express, Janjic ka thënë se, për shkak të afrimit të zgjedhjeve në Serbi, Beogradi zyrtar është duke bërë lojë politike sa u përket marrëveshjeve me Kosovën. Të njëjtën gjë, ka thënë ai, e bën edhe opozita në Kosovë, e cila ka gjetur një pikë të dobët për ta sulmuar qeverinë.
“Opozita bën atë që opozita duhet të bëjë, bën zhurmë aty ku e gjen një pikë të dobët të qeverisë. E njëjta gjë ndodh edhe në Serbi. Rezoluta 1244 është ende në fuqi. Ka pasur tentim që kjo rezolutë të shfuqizohet nga një rezolutë tjetër në vjeshtën e vitit 2006 në diskutimet rreth pakos së Ahtisaarit. Pra, nëse opozita në Prishtinë kërkon nga qeveria që të mos njoh Rezolutën 1244, në fakt janë duke bërë një lojë. Realiteti është se 1244 është ende në fuqi”, ka thënë ai.
Janjic më tutje ka thënë se nëse arrihet një marrëveshje për përfaqësimin rajonal të Kosovës, BE do t’i hapë rrugë Kosovës për marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Për më shumë, sipas Janjic, disa shtete të BE-së, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, do të rishqyrtojnë pozicionin e tyre.
“Jam i sigurt se disa nga 5 shtetet do të ndryshojnë mendimin rreth njohjes së Kosovës pas përfundimit të dialogut, pasi t’i jepet Serbisë statusi i kandidatit. Por, disa prej tyre do të vazhdojnë të insistojnë në problemet e tyre të brendshme, arsye për të cilat janë duke vazhduar të bllokojnë njohjen e Kosovës”, ka thënë ai.
Mirëpo, ajo që është më shqetësuese për Janjic ka të bëjë me arritjen e një kompromisi afatgjatë apo normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, që do të marrë kohë.
“Duhet një kohë e gjatë për të arritur një kompromis. Një kompromis do të gjendet kur Serbia të njohë Kosovën, por kjo nuk do të ndodhë shumë shpejt”, ka thënë ai.