E Diel, 1 Nëntor 2026

Afera me koncesionet, Ministria e Ekonomisë padit inxhinierin Minka

 Mashtrim me pasoja për garën publike të dhënies me koncesion të hidrocentraleve në Zallin e Llangës. Kjo është akuza që ka shoqëruar kallëzimin penal të Ministrisë së Ekonomisë ndaj inxhinierit Spiro Minka. Në një njoftim për shtyp kjo ministri bën me dije se pas hapjes së procedurave për dhënien me koncesion të HEC-eve të Zallit të Llangës u paraqitën tre ofertues dhe pas shqyrtimit të ofertave, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave me anë të një vendimi të datës 31.08.2009 ka shpallur fitues të garës bashkimin e përkohshëm të shoqërive "Albstar" sh.p.k., "4A - A1" sh.p.k. dhe "MAB Ndërtim" sh.p.k. Menjëherë pas kësaj një nga kompanitë ofertuese u ankua pranë Agjencisë e Prokurimit Publik për parregullsi. Kaq ka mjaftuar që kjo agjenci të pezullonte procedurën e dhënies me koncesion dhe ka hapur një hetim administrativ në të cilin ka kërkuar shpjegime nga inxhinieri Minka. Në ballafaqimin e kërkuar ai nuk është paraqitur duke neglizhuar kështu kërkesën e APP-së kurse kompanitë pjesëmarrëse në tender theksojnë se Spiro Minka nuk i ka vënë në dijeni për ndonjë angazhim në përgatitjen e projektit të fizibilitetit të ndonjë shoqërie tjetër në lidhje me shfrytëzimin e Zallit të Llangës. Në njoftimin për shtyp Ministria e Ekonomisë jep detajet lidhur me faktet që akuzojnë Minkën siç janë oponenca teknike e projektit të shoqërisë "MAB Ndërtim" sh.p.k. të nënshkruar dhe vulosur nga studioja e Spiro Minkës, deklarata noteriale e këtij të fundit, ku thotë se nuk ka bërë projekt apo oponencë teknike. Kurse e fundit është  deklarata e bashkimit të shoqërive që kanë fituar tenderin ku vërtetohet se inxhinieri Minka ka përgatitur oponencën teknike dhe se nuk i ka vënë në dijeni për shërbime të kryera ndaj ndonjë shoqërie tjetër konkurrente. Të treja këto dokumente kontradiktojnë njëra-tjetrën. Ministria e Ekonomisë duke pasur në dorë faktet ka kërkuar nisjen e procedimit penal për inxhinierin. Nga ana tjetër procedura e dhënies me koncesion nga ana e ministrisë të HEC-eve në Pellgun e Llangës në Librazhd është pezulluar për momentin, deri në zgjidhjen e plotë të kësaj çështjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›