Siguria në punë, sanksione për punëdhënësit
Detyrime të reja të punëdhënësve e punëmarrësve për të garantuar sigurinë dhe shëndetin në punë. Projektligji i ri ka mbërritur për shqyrtim në Komisionet Parlamentare. Fusha e zbatimit të ligjit shtrihet si te punonjësit që kanë një marrëdhënie pune në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, ashtu edhe te personali civil. Nëse nuk zbatohen dispozitat në fuqi, atëherë do të ketë edhe penalizime. Do të jetë Inspektorati Shtetëror i Punës që do të monitorojë zbatimin e ligjit "për sigurinë dhe shëndetin në punë". "Punëmarrësi duhet të marrë masat e nevojshme nëpërmjet parandalimit të rreziqeve për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale",thuhet në projektligj. Një kre të veçantë zë ngritja dhe funksionimi i shërbimeve të mbrojtjes dhe parandalimit si dhe i këshillit të sigurisë dhe shëndetit. Risi e këtij projektligji është detyrimi i punëdhënësit për të hartuar dokumentin e vlerësimit dhe të parandalimit të rrezikut, i cili përmban masat me karakter teknik, organizativ, higjieno-sanitar, të cilat do të zbatohen sipas kushteve specifike të vendeve të punës dhe veprimtarisë.