Beqja: Reforma në shëndetësi, jo me forcë
Deputeti i PS-së, Ilir Beqja në konferencën e djeshme për shtyp deklaroi se reforma e qeverisë në sistemin e shëndetësisë nuk mund të zhvillohet me forcë siç e ka proklamuar kryeministri Berisha. "Mjeku Sali Berisha, edhe pas shumë vitesh në krye të punëve të vendit, ende nuk e ka kuptuar se reformat nuk zgjidhen me forcë dhe se reformat nuk janë një task. Task Force mund të vlejë për të prerë lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, por jo për të reformuar. Reformat duan vizion dhe janë një bashkësi detyrash, veprimesh e masash", tha Beqja. Sipas tij, në tetor 2009, brenda një dite, ministri Vasili rriti 4 - 5 fish tarifat e shërbimit shëndetësor për 800 mijë shqiptarët e pasiguruar. "Berisha duhet të shohë sa më parë të vërtetën e pamundësisë financiare të mijëra familjeve të varfra që marrin 4 mijë lekë ndihmë ekonomike në muaj dhe duhet të paguajnë 1500 lekë për një eko, apo 3 mijë lekë për një vizitë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Kjo është situata e shëndetësisë të Shqipërisë së sotme. E shëndetësisë ku dy mjekët Sali Berisha dhe Petrit Vasili po njollosin edhe emrin e Nënë Terezës", tha Beqja. Socialisti theksoi "Vasili premton se ka gati listën e re të barnave të rimbursueshme. Por kriza ekonomike do të marrë gjithë rritjen e fondit për vitin 2010. 567 milionë lekë duhet të shpenzohen më shumë në vitin 2010 vetëm për të përballuar shtrenjtimin e barnave si pasojë e nënçmimit të lekut".