Afganistan, 13 të vdekur nga atentati kamikaz
Të paktën 13 persona kanë mbetur të vdekur dhe 36 të tjerë janë palgosur në Farah, në jugperëndim të Afganistanit, si pasojë e një atentati vetëvrasës të kryer nga një kamikaz në motoçikletë. Ndër viktimat bën pjesë edhe një funksionar i policisë dhe dy truproja. Provinca e Farah, në kufi me Iranin, ku operojnë trupat amerikane, është një nga zonat ku është regjistruar një aktivitet intensiv ushtarak i talebanëve. Sulmi ka ndodhur në një treg të populluar në Farah, kryeqendra e provincës me të njëjtin emër. Sulmi kamikaz ndodh një ditë pasi presidenti Hamid Karzai u betua për mandatin e dytë si presidenti i zgjedhur i Afganistanit. Atentati u regjistrua në zonën ku automjete të tonazhit të lartë, ishin të pajisura me produkte të ndryshme që do të dërgoheshin në provincën e Heratit, bëri të ditur policia. Shumica e të plagosurve ishin civilë, por sipas zyrtarëve numri i të lënduarve mund të shtohet edhe më tepër gjatë orëve në vijim. Shpërthimi ka dëmtuar gjithashtu edhe disa godina.