E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza kaplon qeverinë e Kosovës. PDK: LDK, aleanca me të tjerë. Do ta rishohim paktin"

Prishtinë, 20 nëntor, NOA Koalicioni qeverisës në Kosovë mes PDK dhe LDK po komentohet nga mediat vendase të jetë në rrezik, pasi thuhet se LDK paska lidhur koalicion me partitë e tjera për në balotazh dhe PDK mesa duket, nuk qenka fort e kënaqur nga një veprim i tillë.

Gjithsesi, ende nuk ka ndonjë lajm të konfirmuar zyrtarisht nga dy partitë në fjalë, përveçse një atmosfere paqëndrueshmërie dhe lajmesh që mbërrijnë nga minuta në minutë për tronditjen e koalicionit qeverisës.

Njëri prej tyre pohon sesi PDK pas ndryshimeve të ndodhura në terren, pritet që sot të nënshkruajë koalicionin e ri në nivel qendror me AKR, LDD dhe partitë e minoriteteve.
Partia Demokratike e Kosovës, pas konstatimit të shkeljeve së marrëveshjes së koalicionit nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vendosur që të rishqyrtojë ose të riformatizojë koalicionin qeverisës në nivel qendror. Takimet konsultative do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme deri në marrjen e një vendimi definitiv, thuhet në një njoftim të lëshuar nga PDK, e cila pohon se është duke e shqyrtuar situatën.

Zv/kryeministri Kuçi ka thënë se në mbledhjen e kryesisë së PDK-së, që është zhvilluar deri vonë në mesnatë, është konstatuar se LDK, e njohur si partnere në koalicionin qeverisës, e ka shkelur marrëveshjen e koalicionit, por nuk ka dhënë detaje se çfarë ka dashur të bëjë tamam me këtë.

Ndërkaq, dita e sotme, cilësohet si vendimtarja për ta zgjidhur këtë situatë ngërçi që ka kapluar gjithë politikën kosovare.

n.e/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›