E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afganistan, 9 të vdekur dhe 17 të plagosur

Helmand - Të paktën nëntë persona janë vrarë, ndër të cilët civilë dhe 17 të tjerë janë plagosur sot në provincën afgane Helmand (në jug), në një atentat të dyfishtë kamikaz pranë një ndërtese të policisë, njoftoi ministria e Brendshme.

"Ne, talebanët, i kemi zhvilluar këto sulme", i deklaroi me telefon AFP-së zëdhënësi i talebanëve, Jusuf Ahmadi. Katër nga nëntë të vdekur janë civilë, katër policë dhe i fundit një ushtar i ushtrisë afgane, njofton zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Zemarai Bashary. Të plagosurit janë civilë, ushtarakë dhe policë, tha ai, pa dhënë hollësi të tjera.

Shpërthimet, e shkaktuara nga dy kamikazë me intervale të shkurtëra nga njëri-tjetri, ndodhën në distriktin Gereshk. Shefi i policisë së distriktit, Abdul Raziq, i shpjegoi AFP-së se kamikazi i parë e hodhi veten në erë pranë makinave të policisë të parkuara pranë një komisariati.

"Kamikazi i dytë e hodhi veten në erë kur policia dhe ushtria u kundërpërgjigjën ndaj sulmit të parë", shtoi ai."Arrita t'i mbijetoj sulmit të dytë", që ndodhi ndërkohë që skuadrat e shpëtimit po shkonin në vendin e ngjarjes së sulmit të parë për t'u ardhur në ndihmë viktimave, shtoi ai.

Provinca Helmand është një bastion i talebanëve në jug të Afganistanit dhe qendra më e madhe e prodhimit të drogës në vend. Atentate, shpesh kamikaze, synojnë vazhdimisht forcat afgane të sigurisë dhe ato ndërkombëtare, por më shpesh viktimat janë civilët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›