Afganistan: Sulmi me bombë, vriten dy ushtarë
Nga sulmi i kryengritësve, përfshirë edhe sulmues vetëvrasës me bombë, sot kundër kompleksit të një kontraktori të sigurisë së trupave të NATO-s, në pjesën perëndimore të Afganistanit, janë vrarë dy rojtarë afganë.
Përgjegjësinë për këtë sulm, që ndodhi në provincën Herat, e kanë marrë talebanët.
Zyrtarë provincialë kanë thënë se sulmi kishte ndodhur kundër selisë së kontraktorit, që nuk ishte shumë larg bazës së NATO-s dhe aeroportit kryesor në Herat.
Dy rojtarët afganë janë vrarë dhe pesë vetë ishin plagosur në shkëmbimin e të shtënave.
Të gjithë sulmuesit janë vrarë.
Herati është i pari nga shtatë hapësirat ku siguria është transferuar nga trupat e jashtme te forcat afgane, në muajin korrik.
Ngjarja, një mes shumë atentateve, ndodh në një moment kur trupat luftarake të NATO-s pritet të tërhiqen nga Afganistani në vitin 2014.
Ditën e mërkurë, presidenti Hamid Karzai deklaroi në një konference të mbajtur në Stamboll se vendi i tij nuk do të gjejë kurrë paqe pa patur një bashkëpunim rajonal kundër grupeve terroriste.
Ndërsa muajin e kaluar, prezenca e Shteteve të Bashkuara dhe trupat e NATO-s dhanë alarmin për rritjen gjithnjë e më shumë të pranisë së rrjetit terrorist Haqqani, në Afganistan.