E Diel, 1 Nëntor 2026

Siri: 9 persona të vrarë, shkelen premtimet për ndalje të dhunës

Aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se trupat e Sirisë sot kanë vrarë nëntë persona, vetëm një ditë pasi qeveria i premtoi Ligës Arabe, se do të ndalë dhunën kundër protestuesve.

Grupi Vëzhgimi Sirian, me seli në Londër, ka cituar dëshmitarët, që kanë thënë se nëntë civilë janë vrarë në provincën e trazuar Homs.

Homs është qendra e protestave kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad.

Ditë më parë Presidenti i Sirisë, Bashar Al Asad pranoi planin udhërrëfyes të Ligës Arabe, për t`i dhënë fund dhunës në vend.
I përbërë nga katër pika, plani parashikonte ndër të tjera edhe hapjen e vendit për vëzhguesit e Ligës Arabe dhe Mediave Ndërkombëtare.


Marrëveshja e arritur parashikonte fundin e menjëhershëm të dhunës dhe zmbrapsjen e tankeve nga rrugët, për t`i dhënë garanci njerëzve, përpara se të nisë dialogu kombëtar.
Prej 15 Marsit deri më sot, të pakten 3000 persona janë vrarë gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›