E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afganistan, aty ku gratë shiten si dele

Mariam ishte 11 vjeçe në
vitin 2003, kur prindërit e
detyruan me dhunë që të
martohej me një 41-vjeçar
fetar. Nusja u shit për 1200 dollarë dhe
paratë u përdorën nga i ati, një i dhënë
pas drogës, që të paguante borxhet.
Pasi familja mori lekët, Mariami nisi të
jetonte me bashkëshortin dhe nënën
e tij. Të dy e trajtonin si shërbëtore,
madje nisën të ushtronin dhunë fizike,
kur ajo nuk po mund të sillte dot
në jetë një fëmijë. Pas dy vitesh të
dhimbshëm abuzimesh, Mariami
vendosi të largohej fshehurazi nga
vendi ku e dhunonin e të kërkonte
ndihmë në një stacion policie në
Kabul, kryeqytetin e vendit. Deri para
pak vitesh, policia afgane do ta kishte
"vlerësuar" guximin e Mariamit duke
e dërguar menjëherë pas hekurave të
burgut (morali tradicional i ndalon
gratë që të dalin të vetme në rrugë), ose
do ta kishte dërguar, si pako, sërish në
shtëpinë nga kishte ardhur. Në rastin e
Mariamit, policia pasi mori ankesën e
saj, e dërgoi në një godinë dykatëshe,
në një qendër grash, që para vitit
2003 ishte diçka që as nuk mund të
imagjinohej. Pas vitit 2001, kur iu mor
pushteti talebanëve, ka nisur në vend
konkretizimi i nocionit të të drejtave
të grave, bazuar në Kushtetutën e re
dhe nxitur nga Ministria e Çështjeve
të Grave. Problemet me të cilat
përballen gratë e vendit i kanë rrënjët
të ngulura thellë në traditat fetare
dhe ligjet fisnore me anë të të cilave
është qeverisur vendi. Por gjërat kanë
nisur të ndryshojnë e bashkë me to
edhe perspektivat jetësore të vajzave
të reja të dhunuara si Mariami.
Sipas drejtoreshës së organizatës
"Gratë për Gratë Afgane" një nga
katër organizatat që kanë ngritur
strehët për femrat e dhunuara, në
traditën e vendit, gratë janë pronë e
burrave. Për sa u përket strehëve për
gratë e dhunuara, hapja e tyre është
kritikuar ashpër duke u konsideruar
si një "shfaqje e huaj" e sjellë nga
perëndimorët që duan të ndryshojnë
Afganistanin, një vend ku problemet
familjare dhe ato të komunitetit
janë zgjidhur tradicionalisht nga
ndërmjetësimi i liderëve fisnorë dhe
këshillat e posaçëm. Por mbrojtëset
e grave ngulmojnë se gjithmonë
çështjet zgjidhen në favor të
meshkujve. Martesat e detyruara mes
vajzave të vogla e meshkujve shumë
më të mëdhenj në moshë kanë qenë
pjesë e jetës së tribuve dhe familjeve
në Afganistan dhe vendet përreth prej
shekujsh. Të njëjtat tradita vazhdojnë
edhe sot, edhe pse mosha ligjore për
martesë është 16 vjeç për femrat dhe
18 për meshkujt. Rrahjet, tortura dhe
trafikimi i femrave janë ngjarje të
zakonshme dhe pranohen në heshtje.
Deri para krijimit të strehëve të femrave
të dhunuara, një grua që ndodhej në
një martesë abuzive, mundej vetëm
të kërkonte ndihmë dhe strehë te
familja e saj, te vëllezërit, apo babai,
por gjithmonë ekziston rreziku se
pikërisht këta do ta rikthenin sërish
në familjen e bashkëshortit, në emër
të mbrojtjes së nderit. Në kushte të
tilla, kur gruaja ndihet e braktisur
dhe e dhunuar nga njerëzit e vet më
të afërt, shpesh fundi i historisë është
vetëvrasja. Për gratë që kanë marrë
vendime të tilla të dhimbshme ikja
nga kjo jetë ka qenë zgjidhja e vetme,
edhe pse e dëshpëruar. "Në Afganistan
ekziston kultura e heshtjes", thotë një
nga gratë afgane që ka hapur së bashku
me shoqet e saj qendrën e parë të
strehimit, 6 vjet të shkuara. Shumica e
viktimave të abuzimit mashkullor kanë
shumë turp që të flasin për problemet
e tyre. Në vitin 2005, disa organizata
sociale afgane as nuk mund të pohonin
publikisht se qëllimi i ngritjes së tyre
ishte ndihma ndaj grave të dhunuara.
Në atë periudhë, togfjalëshi "të drejtat
e grave" ishte një koncept i panjohur,
por me kalimin e kohës shumë gra
janë ndërgjegjësuar. Sipas vetë grave
që merren me organizmin e strehëve,
qëllimi i tyre është strehimi i grave
të dhunuara dhe krijimi i kushteve
sa më mikpritëse për to. Ndërkohë,
punonjëset nisin ndërmjetësimin me
familjet dhe në shumë raste u është
dhënë zgjidhje konflikteve që ishin
konsideruar si të pamundura për t‘u
zgjidhur. Nëse ndërmjetësimi dështon,
atëherë avokatet e strehëve ndërmarrin
personalisht përsipër çështjet e
divorceve në emër të klienteve të
dhunuara. Madje disa qendra të reja
kanë ndërmarrë një hap edhe më të
guximshëm: gjetjen e bashkëshortëve
të rinj për gratë e divorcuara. Bëhet
fjalë për burra që nuk mund ta
përballojnë dot çmimin e "blerjes"
së gruas, por që janë njerëz të mirë
e të besueshëm e që premtojnë që
nuk do ta keqtrajtojnë gruan e re. Jo
gjithmonë këto premtime mbahen,
por në të shumtën e rasteve rezultatet
janë pozitive. Kur Mariam mbërriti
në strehën "Gratë Afgane për Gratë"
në vitin 2007, avokatët e grupit e
çuan rastin e saj në gjykatë. I shoqi i
Mariamit u lut për rikthimin saj, duke
premtuar që nuk do të vinte më dorë
ndaj të shoqes. Mariam pranoi. Në
një intervistë që dha jo deklaroi se u
detyrua që të ndërmerrte një zgjidhje
të tillë e nxitur nga frika se mos askush
nuk do të martohej më me të dhe ajo
do të mbetej përgjithmonë e vetme
dhe e nëmur. Por me t‘u rikthyer në
shtëpinë bashkëshortore, vjehrra dhe
i shoqi nisën sërish ta keqtrajtonin
Mariamin dhe ajo nuk pa tjetër rrugë
shpëtimi veç largimit edhe njëherë.
Rasti i saj përfundoi në Gjykatën e
Krimeve, sepse ajo deklaroi se i shoqi
e kishte kërcënuar me vrasje. Por ajo
nuk është e vetmja që ka pasur një fat
të tillë. Gratë që vijnë në këto strehë
janë nën presionin dhe kërcënimin e
vazhdueshëm të burrave dhe njerëzve
të tjerë të familjes. Një tjetër grua e
dhunuar është Nadia, 17 vjeç, e cila
jeton në qendër që në vitin 2007. Ajo
rrëfen se ishte dhunuar njëherazi si
nga i ati ashtu edhe nga bashkëshorti
që e kishte rrahur duke i shkaktuar
një frakturë në hundë dhe në vesh.
Për të ndrequr dëmin asaj iu desh
të bënte 6 operacione dhe ende nuk
është shëruar plotësisht.
"Unë lumturinë e njoh vetëm si
fjalë. Nuk e kam ndier kurrë", thotë
Nadia. Një tjetër vajzë, Gulsum,
në moshën 8-vjeçare u grabit nga
i ati, që ishte ndarë nga e ëma. Pas
grabitjes i ati e detyroi me dhunë që
të martohej me djalin e të dashurës
së të tij. Pas martesës, si i shoqi,
ashtu edhe e ëma e tij e keqtrajtonin
vazhdimisht, madje kjo e fundit e
kërcënonte vazhdimisht se do ta
vriste. Tashmë 13-vjeçare, Gulsum
thotë se para se të vendoste të ikte nga
shtëpia kishte kohë që kishte menduar
të vetëvritej. Disa herë e kishte provuar
me gëlltitjen e ilaçeve, por pa rezultat.
Sipas avokatëve që merren me çështjet
e vajzave dhe grave të dhunuara
situata është përmirësuar që kur
talebanët u shporrën nga pushteti.
Gjykatësit japin vendime më të drejta
dhe policia është bërë më e ndjeshme
ndaj denoncimeve, si dhe pranë saj
është ngritur një njësi e posaçme
që merret me çështjet e dhunës në
familje. Por megjithatë, mbrojtja që
mund t‘u ofrohet grave është e pakët
dhe mbetet ende në teori, veçanërisht
në zonat e thella rurale, ku tradita është
e rrënjosur thellë dhe zakonet e reja e
kanë më të vështirë për t‘u pranuar.
Mariam thotë se është me fat që e
kanë pranuar dhe e kanë mbështetur
në strehën e grave, sepse pa të jeta
e saj do të kishte qenë një tmerr i
vërtetë, e ndoshta sot ajo nuk do të
ishte gjallë. Kur e pyesin se si e sheh të
ardhmen e vet ajo përgjigje: "Së pari
dua të divorcohem dhe më pas dua
të studioj". Atë e hoqën me forcë nga
shkolla në klasën e 4-ët fillore. Mariam
tregon se ishte shumë mirë me mësime
dhe se dëshira e saj është që të bëhet
avokate dhe në një të nesërme t‘u vijë
në ndihmë njerëzve të pambrojtur
dhe të bëhet për ta mbështetësja. Ajo
çka të bën përshtypje bë rastet e vajzave
dhe grave të keqtrajtuara nga familjet e
bashkëshortëve është fakti se familjet e
tyre, nuk reagojnë për sa ndodh. E motra
e Mariamit është "shitur" në moshën
9-vjeçare te një burrë më i madh për
400 dollarë dhe me këto para, babai i
tyre ka larë një tjetër borxh të shkaktuar
nga përdorimi i drogës. Edhe motra e saj
më e vogël, 6-vjeçare duket se do të ketë
një fat të tillë. Por ndërsa situata është e
rëndë, shpresa ka nisur të lindë dhe kjo
nuk është pak si për fi llim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›